Gjykata ia cakton masën e paraburgimit pesë policëve të dyshuar për vrasjen e Agon Zejnullahut
Gjykata ia cakton masën e paraburgimit pesë policëve të dyshuar për vrasjen e Agon Zejnullahut

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për pesë policët e dyshuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” të 27-vjeçarit nga Lipjani, Agon Zejnullahu, gjatë arrestimit të tij.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
Më herët ka përfunduar seanca dëgjimore për pesë zyrtarët e dyshuar të Policisë së Kosovës, të cilët sot janë paraqitur në mëngjes para Gjykatës Themelore të Prishtinës, dega në Lipjan.
Agon Zejnullahu vdiq me pranga në duar në orët e para të së hënës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Zyrtarët policorë, që u prangosën vetë në mbrëmje, u tha se kishin intervenuar për ta neutralizuar Agon Zejnullahun pasi ai “dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë”, sipas Policisë.
Një rreshter dhe katër zyrtarë të tjerë policorë të përfshirë në këtë rast u arrestuan të hënën nga Inspektorati Policor i Kosovës, ndërsa rasti u cilësua si “vrasje nga pakujdesia”.