Gjykata Kushtetuese “kundër” grafës etnike, certifikatat me kombësinë në masën e përkohshme

Gjykata Kushtetuese “kundër” grafës etnike, certifikatat me kombësinë në masën e përkohshme

Gazetar: Adrian Kerimi

Nuk do të ketë më certifikata të lindjes, certifikata martesore dhe as certifikatat të vdekjes në të cilat do të shkruhet përkatësia kombëtare e qytetarit. Gjykata Kushtetuese sot vendosi të nisë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për evidencën amë, ndërsa deri në marrjen e vendimit nenet kontestuese do të jenë nën masën e përkohshme.

“Nga sot e deri në ditën kur gjykata do të sjell vendimin e duhur, qytetarëve nuk guxon t’u kërkohet të deklarojnë përkatësinë e tyre kombëtare në certifikatat e lindjes, vdekjes dhe martesore. Këto dispozita do të jenë nën masën e përkohshme”, deklaroi Hristina Belovska, Zëdhënëse e Gjykatës Kushtetuese.

Iniciativa ka ardhur nga partia E Majta në kohën kur Gjykata Kushtetuese po vlerësonte kushtetutshmërinë e udhëzimit administrativ mbi përkatësinë etnike në certifikatat e lindjes të sjellë nga ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga. Gjykata më e lartë në vend kishte vendosur masën e përkohshme ndaj atij vendimi të Llogës, ndërsa me ngrirjen e dispozitave nga Ligji për evidencën amë, tani Lloga është i bllokuar edhe në sjelljen e udhëzimeve të reja mbi përkatësinë etnike. Ligji për evidencën amë në nenin 4, 11 dhe 13 përcakton dhe obligon deklarimin e përkatësisë kombëtare në certifikatat që lëshohen nga shërbimet e librave amë.

Ligji për evidencën amë, Neni 4
“Në librin amë të personave të lindur shkruhen të dhënat e prindërve të personit të lindur: emri dhe mbiemri (për nënën edhe mbiemri i vajzërisë), dita, muaji, viti dhe vendi i lindjes, kombësia, shtetësia, numri amë, adresa dhe numri i vendbanimit”.

Pikërisht në këto dispozita të sjella nga viti 1995 ishte thirrur edhe Lloga në sjelljen e udhëzimit administrativ, por publikimi me vonesë në Gazetën Zyrtare kishte pamundësuar realizimin e këtij obligimi edhe pse pa udhëzim, ligji përcaktonte dhe detyronte një të dhënë të tillë. Lloga paralajmëroi udhëzim të ri që i referohet vetëm certifikatave të lindjes, por deri më tani nuk ka sjell një akt të tillë nënligjor. Përkatësia etnike së fundi ka qenë subjekt keqpërdorimi kryesisht në procedurat për punësim dhe manipulimin e balancuesit si mekanizëm që rregullon përfaqësimin e drejtë dhe adekuat nëpër institucionet. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button