Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin qeveritar per Medresenë Isa Beut
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin qeveritar per Medresenë Isa Beut

Gazetar: Suad Bajrami
Gjykata Kushtetuese me shumicë votash vendosi të shfuqizojë vendimin e Qeverisë paraprake të udhëhequr nga kryeministri teknik Talat Xhaferi, me të cilin Medreseja Isa Beu mori statusin e shkollës së mesme private – gjimnaz. Vendimi qeveritar, ishte miratuar për të tejkaluar problemin e kamotshëm të medresantëve të cilët nuk mundeshin të vazhdonin shkollimin e lartë në universitetet shtetërore, pasi statusi i Medresesë ishte shkollë fetare. Por sipas kushtetueses, vendimi është antikushtetues dhe antiligjor dhe me të njëjtin është shkelur parimi i sekularitetit të shtetit.
“As Kushtetuta, e as cilido ligj në shtet nuk lëshohet dhe nuk parashikon procedurë për themelimin e shkollës së mesme private me arsim civil nga ana e ndonjë komuniteti fetar ose grup religjioz. Prej këtu, Gjykata Kushtetuese vendosi se Qeveria në mars të vitit 2024, ka miratuar vendim antiligjor dhe antikushtetues dhe të njëjtën e ka shfuqizuar”, deklaroi Ana Pavllovska Daneva, gjykatëse referuese.
Krahas shkeljes së ndalesës për themelim të shkollës private nga ana e bashkësive fetare, që parashikohet me amendamentin 7 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese vlerëson se qeveria e udhëhequr nga Xhaferi, ka shkelur edhe nenin 7 të Ligjit për Arsim të Mesëm që ndalon organizim dhe veprimtari fetare, por edhe theksim të simboleve fetare në shkolla. Vendimi qeveritar, asokohe me pompozitet u njoftua dhe promovua nga partia në pushtet BDI.
Kryeministri teknik Xhaferi kishte ftuar në Kabinetin e tij kreun e BFI-së Shaqir Fetain për t’ia dorëzuar personalisht vendimin. Në komunikatën e Qeverisë, në mbledhje Xhaferi është shprehur:
“Ky vendim paraqet zgjidhje për problemin e kamotshëm me të cilin ballafaqoheshin nxënësit e Medresesë Isa Beg në Shkup, të cilët pas përfundimit të arsimit të mesëm në shkollën e mesme islame, nuk mundeshin të regjistrohen në studimet universitare në fakultetet në vend, që për ta paraqiste një handikap dhe diskriminim të madh”, tha Talat Xhaferi, kryeministër.
Kreu i BFI-së, Fetai ishte shprehur se medresantët do të mund të inkuadroheshin në mënyrë të barabartë në sistemin e arsimit të lartë në vend, ndërsa do të realizohet në përputhje me planet arsimore dhe programet e miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe në përputhje me Ligjin për Arsim të Mesëm.
Megjithatë, vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese konstaton se në fakt, Qeveria e udhëhequr nga Xhaferi nuk ka gjetur zgjidhje përkatëse për medresantët, pasi sipas tyre është shkelur ligji dhe Kushtetuta. Me këtë, medresantët rikthehen sërish në pozitën që kanë qenë paraprakisht, respektivisht me diplomë nga Medreseja Isa Beu, nuk mund të vazhdojnë studimet në universitetet e vendit. /Alsat.mk