Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshon urdhër–arrest për Vladimir Putin, akuzohet për krime lufte

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshon urdhër–arrest për Vladimir Putin, akuzohet për krime lufte

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Gjykata penale ndërkombëtare në Hagë ka lëshuar urdhër-arrest për Vladimir Putin dhe komisioneren e tij për të drejtat e fëmijëve, Maria Alekseyevna Lvova-Belova, për “deportimin e paligjshëm” të fëmijëve ukrainas. Në njoftimin e Gjykatës thuhet se Putin ka dështuar “të ushtrojë kontrollin e duhur mbi vartësit civilë dhe ushtarakë që kryen veprat, ose lejoi kryerjen e tyre”. Sipas gjykatës, vartësit ishin “nën kontrollin efektiv të tij, në përputhje me përgjegjësinë superiore”.

“Përmbajtja e urdhër-arresteve është sekrete për të mbrojtur viktimat. Megjithatë, gjyqtarët e dhomës që merren me këtë çështje vendosën të bëjnë publike ekzistencën e urdhër-arresteve në interes të drejtësisë dhe të parandalojnë kryerjen e krimeve në të ardhmen. Ky është një moment i rëndësishëm në procesin e drejtësisë pranë GJNP-së, gjyqtarët kanë shqyrtuar informacionin dhe provat e paraqitura nga prokurori dhe kanë konstatuar se ndaj këtyre personave ka pretendime të besueshme për krimet e supozuara”, tha Piotr Hofmanski, Kryetar i Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e cilësoi “skandaloz” vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare ndaj Putinit.

“Vetë çështja e ngritur [nga gjykata në Hagë] është skandaloze dhe e papranueshme. Rusia, së bashku me disa shtete të tjera, nuk e njeh juridiksionin e asaj gjykata, prandaj çdo vendim i këtij lloji për Rusinë nuk vlen nga aspekti ligjor”, u shpreh Dmitri Peskov, Zëdhënës i Kremlinit.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse tha se ky urdhër-arrest “nuk ka kurrfarë rëndësie”.
“Vendimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare nuk kanë asnjë rëndësi për shtetin tonë, përfshirë edhe nga aspekti ligjor”, tha Maria Zakharova përmes një postimi në Telegram.

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, tha se vendimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, me seli në Hagë, është vendim “historik”. “Tash e tutje, presidenti rus ka status zyrtar të të dyshuarit për kryerjen e një krimi ndërkombëtar. Ky është vendim historik për Ukrainën dhe për gjithë sistemin e ligjit ndërkombëtar” tha Kostin.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Amerikane Xhon Kirby tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se ky është një lajm i jashtëzakonshëm dhe se “ne do të duhet ta shqyrtojmë këtë përpara se të mund të bëjmë çdo lloj komenti zyrtar”.

“Në mënyrë të veçantë dhe veçmas nga kjo, Presidenti Biden ishte i qartë, ne duam të sigurohemi që Rusia të mbahet përgjegjëse për krimet, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit që po kryen brenda Ukrainës, kundër popullit ukrainas. Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë organet ndërkombëtare ndërsa ata mbledhin prova dhe fillojnë t’i analizojnë ato prova,” tha Kirby.

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, që ka dokumentuar transferimin e civilëve ukrainas dhe i ka cilësuar këto veprime si “shkelje serioze të ligjeve të luftës që përbëjnë krime lufte dhe potencialisht krime kundër njerëzimit”, tha se urdhër-arresti ndaj Putinit “është hapi i parë për t’i dhënë fund mosndëshkimit që ka inkurajuar për një kohë të gjatë bartësit e luftës ruse kundër Ukrainës”.

Me këtë urdhër-arrest, Putin bëhet lideri i tretë në botë, që gjatë kohës në pushtet, është përballur me urdhër-arrest ndërkombëtar nga tribunave për krime lufte, së bashku me liderin sudanez, Omar al-Bashir dhe atë të Libisë, Muammar Gaddafi. As Rusia, e as Ukraina nuk janë anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Kievi, megjithatë, i ka dhënë juridiksioni kësaj gjykate që të ndjekë krimet e kryera në territorin e saj që kur Moska nisi pushtimin vitin e kaluar. Gjykata Penale Ndërkombëtare, e përbërë nga 123 anëtarë, nuk ka forcë të saj policore për të zbatuar urdhër-arrestet, por varet nga shtetet anëtare që të arrestojnë të dyshuarit për t’i sjellë më pas për gjykim në Hagë. Pavarësisht dëshmive të shumta, Rusia vazhdimisht ka mohuar se ka kryer mizori që kur ka nisur pushtimin e shtetit fqinj, Ukrainës, më 24 shkurt 2022./Alsat.mk

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button