Gjykata Penale Shkup: Përgjegjësia për arratisjen e Blerim Ramadanit duhet të kërkohet te policia

Gjykata Penale Shkup: Përgjegjësia për arratisjen e Blerim Ramadanit duhet të kërkohet te policia

Gazetar: Suad Bajrami

Përgjegjësia për arratisjen e Blerim Ramadanit duhet të kërkohet te policia, të cilët, kanë qenë përgjegjës për ta siguruar në paraburgim shtëpiak. Ky është reagimi i Gjykatës Penale të Shkupit, pas akuzave se përgjegjësia për arratisjen e Ramadanit bie mbi gjykatësin Pajazit Pajaziti, i cili ia ka zëvendësuar masën e paraburgimit efektiv me atë shtëpiak.

“Sipas dispozitave ligjore, mund të sigurohet me masa më të lehta si paraburgim shtëpiak, masa për sigurimin e pranisë ose garancisë – që është theksuar në vendim, derisa  mbikëqyrja mbi paraburgimin shtëpiak, në pajtueshmëri me vendimin, i besohet MPB-së, gjegjësisht stacionit kompetent policor. Për këtë përgjegjësi (sistematike ose individuale) për arratisjen, duhet që të kërkohet tek organi i cili e kryen mbikëqyrjen”, thonë nga Gjykata Penale e Shkupit.

Në lidhje me zëvendësimin e paraburgimit efektiv me atë shtëpiak, nga Gjykata shpjegojnë se në pajtueshmëri me praktikën gjyqësore, kjo është koha maksimale që ndonjë person e ka kaluar në paraburgim ekstradues.

Ata, apelojnë që rasti të mos përdoret për përplasje politike.

“Këshilli Gjyqësor i RMV-së mund dhe duhet të kontrollojë dhe konstatojë nëse gjykata ka vepruar sipas dispozitave ligjore dhe praktikës në gjykatat më të larta. Por, apelojmë që rasti të mos shfrytëzohet për përplasje politike, veçanërisht nëse opinioni nuk është i njohur me faktet kyçe për rastin konkret, praktikën gjyqësore dhe para se gjithash, kompetencën ligjore”, theksuan nga Gjykata Penale e Shkupit.

Gjykata Penale në një njoftim thotë se reagimet e shumta për këtë rast, minojnë besimin e qytetarëve në gjyqësor./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button