Gjykata serbe kthen në rigjykim rastin e vrasjes së gazetarit Çuruvija


Një gjykatë e apelit në Serbi ka hedhur poshtë katër dënime të lidhura me vrasjen e gazetarit, Sllavko Çuruvija më 1999 dhe urdhëroi që lënda të shkojë në rigjykim, njoftuan mediat lokale më 7 shtator.

Katër ish-oficerëve të inteligjencës ishin dënuar me burgim shumëvjeçarë për vrasjen e Çuruvijas, një kritik i njohur i presidentit të Jugosllavisë të asaj kohe, Sllobodan Millosheviq.

Në një vendim të shpallur më 15 korrik, por i cili u publikua këtë javë, gjykata përmendi “shkelje të rëndësishme të dispozitave të procedurës penale”.

Siç thuhet, gjykata arriti në përfundimin se dënimet e prillit të vitit 2019 nuk ishin të bazuara në prova.

Dy nga të dënuarit, Rade Markoviq, ish-kreu i sigurimit të shtetit dhe Milan Radonjiq, i cili ishte në krye të degës së inteligjencës së Beogradit, morën 30 vjet burg secili për nxitjen e vrasjes.

Markoviq tashmë po vuan një dënim 40-vjeçar për vrasje të tjera politike.

Gjykata gjithashtu dënoi me 20 vjet burg ish-oficerët e inteligjencës, Ratko Romiq dhe të arratisurin Miroslav Kurak, i cili u dënua në mungesë.

Ata u dënuan për kryerjen e vrasjes.

Çuruvija themeloi gazetën “Dnevni Telegraf”, gazeta e parë e përditshme e pavarur në Serbinë post-komuniste në vitet 1990.

Ai u dallua si një kritik i Sllobodan Millosheviqit, i cili përfshiu Serbinë në luftërat në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë gjatë qeverisjes së tij 12-vjeçare.

Çuruvija u qëllua jashtë shtëpisë së tij në Beograd më 11 prill 1999, vetëm disa ditë pas fillimit të fushatës së bombardimit të NATO-s, që ndihmoi në përfundimin e operacioneve ushtarake të Beogradit kundër shqiptarëve etnikë në Kosovë.

Familja e Çuruvijas ka akuzuar Millosheviqin se ka porositur personalisht vrasjen.

Millosheviqi u arrestua më 2001 dhe u akuzua nga gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë për gjenocid dhe krime të tjera lufte të kryera gjatë luftërave që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet 1990.

Ish-presidenti serb vdiq në njësinë e paraburgimit të gjykatës më 2006, përpara se të merrej një vendim./REL/

LEXO EDHE:

Back to top button