Gjykimi për ish gjyqtarin Ristov, përplasje për origjinën e 350 mijë eurove të fshehura në mur

Gazetar: Suad Bajrami

Gjyqtari që dikur ndante drejtësi, sot u ul në bankën e të akuzuarit. Gjoko Ristov, i akuzuar për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash, në seancën e parë gjyqësore tha se nuk ndihet fajtor. 350 mijë eurot e gjetura në mur te shtëpia e prindërve në Negotinë, Ristov tha se nuk janë të tij, ndërsa Prokuroria nuk ka prova për të dëshmuar lidhjen e parave me ndonjë vepër penale, raporton Alsat. Sipas Ristovit, nuk mund të ketë pastrim parash derisa nuk ka veprime që karakterizojnë veprën penale të pastrimit të parave, origjinën e parave, transaksionet, tentimi për legalizim dhe lëshimi i parave në qarkullim. Avokati i Ristovit, Xvonko Davidoviq, qasjen e Prokurorisë e quajti teatrale.

“Teoria jonë e rastit është se Prokuroria nuk ka rast. Se tek ajo muret flasin, ndërsa provat heshtin dhe se te Prokuroria gjithmonë sensacioni është përpara prezumimit, ndërsa do të duhej të ishte e kundërta…Mirë ju sqaroi prokurorja se akuza për fshehje të pasurisë dhe përfitim të paligjshëm është e lidhur me vepra korruptuese, mirëpo ndaj 500 pyetjeve të juaja nuk kishte përgjigje se kush është ajo vepër korruptuese, kush është ai pranim ryshfeti, kush është ajo lëndë e kush është ai person. Dhe tani, Prokuroria do tentojë nëpërmjet një qasje teatrale në filma holivudian, me ‘të thash me the’ si shumë herë në lëndë ndodh, të dëshmojë diçka për çka duhet të ketë prova”, Xvonko Davidoviq, Avokat i Gjoko Ristov.

Prokurorja e çështjes Iskra Haxhivasileva tha se posedojnë prova të pakontestueshme që vërtetojnë se 350 mijë eurot e gjetura janë pronë e ish gjykatësit dhe jo prindërve të tij, ndërsa janë përfituar në mënyrë të paligjshme nga vepra korruptuese.  Sa i përket çështjes së pastrimit të parave, prokurorja tha se provat i kanë në shkallën e dyshimit të bazuar dhe kjo është e mjaftueshme.

“Pastrimi i parave gjithmonë nënkupton, pronë të paligjshme, por standardi dhe shkalla në të cilin duhet të dëshmohet se ato para dhe ajo pronë kanë origjinë nga vepra të dënueshme, në rastin konkret pastrim të parave, është në standardin e shkallës së dyshimit të bazuar. Ajo është diçka që është materie ligjore, del nga shumë konventa dhe akte ndërkombëtare të cilat i ka miratuar edhe ligjvënësi ynë dhe është e pakontestueshme që vepra predikative është e mjaftueshme të dëshmohet në shkallën e dyshimit të bazuar”, tha Iskra Haxhivasileva, Prokurore.

Prokuroria kundërshton teorinë e mbrojtjes sa i përket përkatësisë së parave. Nëpërmjet një ekspertize nga MPB, Prokuroria thekson që janë gjetur gjurmët biologjike të gjyqtarit Ristov në fletët e aluminit me të cilat janë mbështjellë paratë. Megjithatë, mbrojtja thekson që ka porositur ekspertizë të re nga Mjekësia Ligjore pasi nuk e pranon atë të MPB-së. Plotësisht, mbrojtja nuk i pranon edhe kalkulimet e Prokurorisë për sa i përket të ardhurave të Ristovit dhe pasurisë së prindërve të tij. Avokati i gjyqtarit tha se, krahas ekspertizave financiare, kanë porositur edhe ekspertizë grafologjike. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button