Greqia nuk ndryshon qëndrim ndaj Kosovës

Greqia nuk ndryshon qëndrim ndaj Kosovës

Qëndrimi i Greqisë lidhur me shtetësinë e Kosovës mbetet i pandryshuar, deklaroi presidentja greke, Katerina Sakellaropoulou, gjatë vizitës në Beograd më 28 mars.

Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Gjithmonë ka presione në nivel diplomatik, por kjo nuk ka ndikuar në pozicionin tonë, ne kemi konsistencë në politikë”, tha Sakellaropoulou pas takimit të saj me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ajo gjithashtu theksoi se Greqia e mirëpret Aneksin për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, që u arrit në Ohër më 18 mars, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Greqia është e gatshme të mbështesë Beogradin dhe Prishtinën në zbatimin e marrëveshjes”, shtoi ajo.

Kosova dhe Serbia para takimit të Ohrit, më 27 shkurt në Bruksel u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, apo siç njihet ndryshe edhe si propozimi evropian për normalizim.

Sakellaropoulou shtoi se Greqia mbështet dialogun që synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

“Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është një prioritet strategjik i Greqisë. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të ofrojë paqe dhe siguri dhe do të parandalojë ndikimin e vendeve të treta në Ballkanin Perëndimor”, theksoi ajo.

Ndërkaq, Vuçiq deklaroi se me homologen greke bisedoi për marrëveshjen e arritur në Ohër, si dhe për lidhjen e infrastrukturës dhe stabilitetin energjetik.

Vuçiq tha se është rënë dakord për “blerjen e sasive të caktuara të gazit të lëngshëm” nga Greqia.

“Tema e takimit ishte ndërlidhja e mëtejshme energjetike, ku Serbia shprehu interesin për blerjen e gazit të lëngshëm nga [porti grek] Aleksandropolis”, tha Vuçiq dhe shtoi se tubacioni i gazit me Bullgarinë duhet të përfundojë në tetor, i cili do të lehtësojë dërgimin e gazit.

Vuçiq falënderoi presidenten greke për mbështetjen e Serbisë në rrugën e saj evropiane, duke shtuar se është me interes jetik që Serbia të vazhdojë të kërkojë një zgjidhje kompromisi në bisedimet me Kosovën dhe të përshpejtojë rrugën drejt Bashkimit Evropian.

LEXO EDHE:

Back to top button