Greqia po lufton për të dytën ditë rresht me disa dhjetëra vatra zjarresh që kanë shpërthyer në mbarë vendin, sidomos në zonat jugore. Sipas shërbimit zjarrfikës vetëm në 24 orët e fundit kanë rënë 64 zjarre, 45 prej të cilave brenda disa orësh.
Autoritetet kanë dërguar mesazh me numrin e urgjencës 112 për rastet e katastrofave në disa zona në mënyrë që banorët ti evakuojnë ato. Dhjetëra zjarrfikës të ndihmuar nga tetë avionë po përpiqen prej disa orësh të shuajnë zjarret në pyjet e rajonit të Ahaias dhe Ilias në gadishullin e Peloponezit pranë qytetit të Kranidit. Situata bëhet e vështirë pasi në disa raste, shpejtësia e erës i kalon 95 kilometra në orë.
Ndërsa edhe temperaturat janë tepër të larta. Greqia ka vite që përballet me zjarret e mëdha , por ato janë bërë më shkatërruese pasi verat janë bërë më të nxehta dhe më të thata. Ministria e Mbrojtjes civile ka shpallur gjendjen e gatishmërisë.








