Greva më e madhe në historinë e BM-së, ndërpritet shërbimi mjekësor

Greva më e madhe në historinë e BM-së, ndërpritet shërbimi mjekësor

Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë (NHS) po përballet me ndërprerje masive, pasi dhjetëra mijëra punonjës janë bërë pjesë e grevës më të madhe në historinë e BM-së.

Kolegji Mbretëror i Infermierisë (RCN) tha se grevat do të vazhdojnë për aq kohë sa do të nevojitet, ndërsa sindikata “Unite” paralajmëroi për një cikël të vazhdueshëm të protestave të punonjësve, shkruan ATSh.

Drejtuesit e sindikatave i kanë kërkuar qeverisë të veprojë për të parandaluar aktet e mëtejshme të grevës, por ministrat në Angli kanë sinjalizuar se nuk janë gati të zbatojnë një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes, të paguajnë për 2022-2023.

Priten trazira në të gjithë Anglinë pasi infermierët nga RCN-ja do të bashkohen me mjekët e kujdesit emergjent të GMB-së dhe “Unite”, punonjësit e urgjencave dhe stafin tjetër të shërbimeve të ambulancave.

Kjo është hera e parë që punonjësit e ambulancave dhe infermierët dalin në grevë në të njëjtën ditë.

Infermierët do të bëjnë sërish grevë të martën, punonjësit e ambulancave sërish të premten dhe fizioterapistët të enjten.

Drejtuesit e NHS-së thanë se kjo do të jetë java më shkatërruese e grevave deri më tani, por ata u kërkuan njerëzve që të kërkonin kujdes urgjent nëse do të kishin nevojë dhe të merrnin pjesë në takime siç ishte planifikuar, nëse nuk ishin kontaktuar paraprakisht.

Sindikatat në Uells pezulluan kryesisht veprime të ngjashme pasi qeveria e Uellsit doli me një ofertë të përmirësuar pagash të premten.

Ndërkohë, Downing Street tha se dëshiron të shikojë përpara dhe “jo mbrapa” kur bëhet fjalë për negocimin e pagave me sindikatat shëndetësore.

Zëdhënësi zyrtar i kryeministrit Rishi Sunak, i pyetur se cili është plani i tij për t’i dhënë fund grevave, tha: “Ne duam të vazhdojmë të diskutojmë se si mund të gjejmë një rrugëzgjidhje me sindikatat”.

“Rritja e pagave mbi inflacion nuk është e pranueshme, duke pasur parasysh ndikimin që do të kishte tek taksapaguesit dhe rrezikun e rritjes së presioneve inflacioniste”, tha ai.

“Ne duam të gjejmë një rrugëzgjidhje. Ne mendojmë se mënyra e duhur për ta bërë këtë është të flasim për ofertën e pagave të vitit 2023-2024, përpara se propozimet t’i dorëzohen organit të rishikimit të pagave”, shtoi ai.

LEXO EDHE:

Back to top button