Gruaja e Presidentit Zelenskyy zbulon ‘gabimin fatal’ të Putinit
Gruaja e Presidentit Zelenskyy zbulon 'gabimin fatal' të Putinit

Gruaja e Presidentit Zelenskyy ka zbuluar atë që ajo beson të jetë ‘gabimi fatal’ i Vladimir Putinit teksa flet mbi pushtimin rus të Ukrainës.
Pavarësisht shkatërrimit që sulmi i Putinit i ka shkaktuar Ukrainës, Kremlini nuk ka arritur të pushtojë shumicën e qyteteve kryesore të vendit, përfshirë kryeqytetin e Kievit.
Olena Zelenska, Zonja e Parë e Ukrainës, ka folur për fuqinë e vendit të udhëhequr nga bashkëshorti i saj Volodymyr Zelenskyy, si është jeta nën rrethim dhe gabimin kryesor të bërë nga presidenti rus. Të gjitha këto, ajo i tha në një intervistë për Vogue.
Kur u pyet për përzierjen e ndjenjave të saj personale dhe qytetare, ajo u përgjigj: “Lufta bashkoi menjëherë atë personale dhe publike. Dhe ky është ndoshta gabimi fatal i tiranit që na sulmoi. Ne jemi të gjithë ukrainas fillimisht dhe më pas gjithçka tjetër”.
Duke përshkruar se si Putin dëshironte të ndante Ukrainën dhe të krijonte konfrontim të brendshëm, Zelenska tha se është “e pamundur ta bësh këtë me ukrainasit”.
“Kur njëri prej nesh torturohet, përdhunohet ose vritet, ne ndjejmë se të gjithë jemi duke u torturuar, përdhunuar ose vrarë,” vazhdoi ajo.
“Ne nuk kemi nevojë për propagandë për të ndjerë ndërgjegjen qytetare dhe për të rezistuar. Është ky zemërim dhe dhimbje personale, që ne të gjithë e ndiejmë, që aktivizon në çast etjen për të vepruar, për t’i rezistuar agresionit, për të mbrojtur lirinë tonë”.
Përballë sulmit të vazhdueshëm të Rusisë, Zelenska ka refuzuar të largohet nga vendi për ta lënë të shoqin në një zonë lufte dhe ka qenë e hapur dhe e sinqertë për situatën me djalin e saj 9-vjeçar dhe vajzën 17-vjeçare.
Duke folur për atë se si ishte në ditën e parë, më 24 shkurt, ajo tha: “U zgjova diku nga ora 4 – 5 të mëngjesit, për shkak të një kërcitjeje. Nuk e kuptova menjëherë se ishte një shpërthim. Nuk e kuptova se çfarë mund të ishte.
“Burri im nuk ishte në shtrat. Por kur u ngrita, e pashë menjëherë, të veshur me një kostum si zakonisht (kjo ishte hera e fundit që do ta shihja me një kostum dhe një këmishë të bardhë – që atëherë ai vishet me veshje ushtarake). “Filloi”, kjo është gjithçka që më tha”.
Megjithëse Zelenska fillimisht kishte shpresuar të qëndronte në krah të Zelenskyy, ajo dhe fëmijët e saj u urdhëruan të zhvendoseshin në një vend sa më të sigurt pasi zyra e Presidentit po përdorej si një objekt ushtarak.
Ajo vazhdoi të përshkruajë tmerret e aksionit ushtarak të Rusisë, duke theksuar Mariupol, Bucha dhe dhjetëra fëmijë të vrarë nga copëzat e predhave në vendlindjet e tyre.
“As nuk mund ta përshkruaj. Jam pa fjalë”, tha ajo.
Kur u pyet se çfarë ka nevojë Ukraina nga vendet e tjera, përfshirë SHBA-në, ajo theksoi kërkesën e Zelenskyy për një zonë ndalim-fluturimi, duke thënë:
“Bota demokratike duhet të jetë e bashkuar dhe të japë një përgjigje të ashpër, duke treguar kështu se në shekullin 21 nuk ka vend për të vrarë civilë duke shkelur territorin e huaj”.