Grubi: Djegia e makinës, akt qyqar dhe tinëzar

Grubi: Djegia e makinës, akt qyqar dhe tinëzar

Gazetar: Mefail Ismaili

Zëvendëskryeministri Artan Grubi e ka quajtur tinëzar dhe qyqar aktin e djegies së veturës të cilën ai e ka përdorur privatisht. Në një reagim në Facebook, Grubi ka thënë se sulmet e këtilla nuk do e zmbrapsin për të bërë punën e tij.

“Në politikë jam për të shërbyer dhe për të lënë gjurmë me punë e me vepra, e jo që të më terrorizohet familja, fqinjët dhe shoqëria. Kërcënimet e vazhdueshme dhe sulmet e njëpasnjëshme i konsideroj si qyqare dhe tinëzar, por unë nuk e kam ndërmend të ndalem dhe të zmbrapsem nga puna dhe realizimi i pritshmërive të qytetarëve”, tha Artan Grubi, zëvendëskryeministër.

Vetura të cilën Grubi e ka përdorur privatisht është djegur mëngjesin e sotëm rreth orës 3.30 në Çair në afërsi të ndërtesës ku zv/kryeministri banon. TV Alsat mori pamje ekskluzive në momentin kur automjeti po largohej me merimangë nga parkingu ku ishte djegur.
Nga MPB thonë se kanë marrë njoftim për djegien e një veture e cila nuk ka qenë në pronësi të zv/kryeministrit, por të një personi tjetër me inicialet B.L 35 vjeç.

“Sot (22.07.2023) në SPB Shkup është njoftuar se rreth orës 03.30 në rr. “Strumiçka” është shkaktuar zjarr në një automobil “Audi” me targa të Shkupit, pronë dhe e parkuar nga B.L. (35) nga Shkupi. Zjarri është shuar, persona të lënduar nuk ka, ndërsa ekspertizë është bërë nga ekipet e SPB-së në Shkup”, njoftojnë nga MPB-ja.

Ndërsa zëdhënësi i BDI-së, njeherit dhe ministër i Punëve të jashtme, Bujar Osmani përmes një reagimi në Facebook thotë se vetura është e Artan Grubit ndërsa djegien e saj e quajti si akt të urryer dhune. Për djegien e veturës kanë reaguar edhe funksionarët të tjerë të BDI-së, ndërsa deputeti Arbër Ademi e ka cilësuar si tentativë për sulm ndaj Artan Grubit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button