Gruevski akuzon Mickoskin për aleancë me Zaevin
Gruevski akuzon Mickoskin për aleancë me Zaevin

Gazetare: Fatlume Dervishi
Deri sa Mickoski e akuzon Gruevskin për marrëveshje të fshehta me pushtetin, ish kryeministri nga Budapesti e akuzon kreun e partisë opozitare për aleancë me Zaevin. Sipas Gruevskit, Mickoski në intervistë për Alsat nuk dhe asnjë argument për akuzat e tij por vetëm tregoi filma.
“Cilat janë bazat, synimet, dimensioni moral, qëndrimet dhe ideologjia kombëtare e aleancës së re me Z. Zaev. A nuk ishte ai kundërshtari ynë i përbashkët politik, ai ishte “xhelati” kryesor i të gjithë të përndjekurve politik të VMRO-DPMNE-së, ishte një qeveri që ndryshoi emrin, kushtetutën, kombësinë, identitetin, historinë…me marrëveshjen me Greqinë arrestuan deputetët tanë për t’i shantazhuar për votim…”, shkroi Nikolla Gruevski, ish kryeministër.
Mickoski një ditë më parë tha se për të kjo zënkë në media me Gruevskin s’ka qenë aspak e lehtë. Ai shtoi se nuk e kuptonte se si Gruevski mund të bëjë ortakëri me ata që janë përgjegjës për çdo tradhti që i ndodhi vendit, si dhe atij personalisht.
I pyetur për zënkën mes Mickoskit dhe Gruevskit, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nuk do të dëshironte të komentojë.
“Nuk do të doja të komentoja dinamikën e partive të tjera politike. Unë disa herë kam thënë çështja kyçe në shtet është që të gjithë të bashkohemi në ndërtimin e një shteti evropian, bashkë të sjellim vendime që nënkuptojnë prosperitet për vendin, që nga miratimi i vendimeve që Kuvend të cilat do ta hapin rrugën drejt BE-së”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Mickoski akuzon Gruevskin se ka barë marrëveshje me pushtetin për të përçarë grupin parlamentar të VMRO-DPMNE-së, për të votuar ndryshimet kushtetuese. Gruevski nga kjo marrëveshje, sipas Mickoskit, do të përfitonte amnisti. LSDM-ja mohon çfarëdo marrëveshje me Gruevskin dhe thotë që partia opozitare nuk duhet ta fajësojë atë për rrënimin që po i ndodh. /Alsat.mk