Guardiola: Duhet diçka të re, e dijë se si është të luash në Munih
Man. Siti arriti të fitonte bindshëm ndeshjen e parë të çerekfinales ndaj Bajern Munihut, teksa në “Etihad Stadium”, “qytetarët” mundën “bavarezët” me rezultatin 3-0. Për fitoren, pas ndeshjes foli dhe tekniku i anglezëve, Pep Guardiola, i cili edhe pse e sheh veten në avantazhin e trefishtë u shpreh se në Munih presin një luftë të vërtetë përballë gjermanëve.
“Ishte një ndeshje vërtet e mirë në Ligën e Kampionëve, skuadrat më të mira u përballën me njëra-tjetrën dhe për 55-60 minuta loja ishte e barabartë. Rodri shënoi një gol të pabesueshëm, por ne nuk mundëm të kontrollonim krahët ku vepronin Musiala dhe Gnabry.
Në 5-15 minutat e para të pjesës së dytë kundërshtari luajti më mirë dhe krijoi raste. Por pas kësaj ne ndryshuam disa gjëra dhe u dukëm më të fortë për pjesën tjetër të ndeshjes.
Është një rezultat mahnitës, por e di se çfarë do të thotë të luash në Munih. Duhet të krijojmë diçka të re në mënyrë që të mos vuajmë aq shumë nga aftësia e kundërshtarit dhe të kemi sukses”, u shpreh tekniku Guardiola, pas fitores magjike të Man. Sitit në “Etihad Stadium”.








