Gucati dhe Haradinajn shpallen fajtorë dhe dënohen nga 4 vjet e gjysmë burgim

Gucati dhe Haradinajn shpallen fajtorë dhe dënohen nga 4 vjet e gjysmë burgim

Dhomat e Specializuara në Hagë i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh. Në dënimin ndaj drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

“Në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues ju shpall ju fajtor për: pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, pengim të personave zyrtarë përmes pjesëmarrjes në grupe, frikësim gjatë procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të informacionit të fshehtë dhe shkelje nëpërmjet zbulimit të identitetit dhe informacioneve për dëshmitarët e mbrojtur”, deklaroi Charles Smith III, gjykatës.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara. Në aktakuzë thuhet se këto dokumente, kopje të të cilave u janë shpërndarë gazetarëve në tri konferenca për media, kanë pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë, të cilët mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Por OVL e UÇK-së ka thënë se këto dokumente i ishin dërguar kësaj organizate nga një person anonim. Gucati dhe Haradinaj janë deklaruar të pafajshëm dhe kanë thënë se nuk kanë bërë asnjë shkelje ligjore. OVL UÇK vendimin e sotëm të Gjykatës e cilësoi si politik.

“Me të gjitha mundësitë tona ne do ta pengojmë funksionimin e saj, sepse nuk i ndjek krimet e luftës, por i ndjek shqiptarët. Po t’i ndiqte krimet e luftës, do duhej t’i ndiqte krimet dhe masakrat që i ka shkaktuar Serbia pushtuese në Kosovë”, u shpreh Faton Klinaku, ushtrues detyre i OVL UÇK-së. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button