Finlanda dhe Suedia kanë aplikuar për anëtarësim në NATO

Finlanda dhe Suedia kanë aplikuar për anëtarësim në NATO

Gazetar: Isuf Kadriu

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg mirëpriti të mërkurën aplikimin e Suedisë dhe Finlandës për t’u bashkuar me Aleancën Veriatlantike, duke e përshkruar atë si një moment historik.
“Kjo është një ditë e mirë në një moment kritik për sigurinë tonë. Ju faleminderit shumë për dorëzimin e aplikimeve për anëtarësim në NATO. Çdo komb ka të drejtë të zgjedhë rrugën e tij. Ju të dy e keni bërë zgjedhjen tuaj pas përfundimit të plotë proceset demokratike dhe i mirëpres me ngrohtësi kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO”, deklaroi Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-së.

Finlanda dhe Suedia vendosën ti bashkohen aleancës më të madhe ushtarake në botë, të nxitur nga shqetësimet për sigurinë e tyre pas pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë.

“Gjatë ditëve të fundit, ne kemi parë deklarata të shumta nga aleatët që angazhohen për sigurinë e Finlandës dhe Suedisë. NATO është tashmë vigjilente në rajonin e Detit Baltik. NATO dhe forcat e aleatëve do të vazhdojnë të përshtaten sipas nevojës. Të gjithë aleatët bien dakord për rëndësinë e Zgjerimi i NATO-s. Të gjithë jemi dakord që duhet të qëndrojmë së bashku dhe të gjithë jemi dakord se ky është një moment historik që duhet ta shfrytëzojmë..”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-së.

Procesi i pranimit pritet të zgjasë dy javë, ndërkaq ratifikimi në parlamentet e 30 shteteve anëtare deri në një vit, por NATO dëshiron që të lëvizë shpejt ky proces, duke pasur parasysh kërcënimin që paraqet Rusia për këto dy shtete nordike.

Presidenti turk Erdogan më 16 maj i akuzoi Finlandën dhe Suedinë se kanë dështuar të kenë një qëndrim të fortë kundër militantëve kurdë dhe kanë vendosur sanksione ushtarake ndaj Turqisë.

“Asnjëri nga këto dy shtete nuk ka një qëndrim të hapur, të qartë dhe të fortë kundër organizatave terroriste. Ne nuk mund të themi ‘po’ për ata që kanë vendosur sanksione ndaj Turqisë për anëtarësimin në NATO, që është një organizatë e sigurisë”, ka deklaruar Erdogan.

Finlanda dhe Suedia deri tani ishte shtete neutrale, por lufta në Ukrainë ndryshoi perceptimin e popullatës së këtyre dy shteteve të cilat mbështetën në mënyrë masive anëtarësimin e tyre në NATO të cilën tani e shohim si mburojë nga ndonjë pushtim i mundshëm nga Rusia. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button