Haradinaj: Nëse dështon zgjedhja e presidentit, vendi mund të shkojë prapë në zgjedhje

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se në zgjedhjet e 14 shkurtit, Aleanca hyn më e përgatitur se më parë. Ai tha se këto zgjedhje janë ndryshe dhe se çelësi i suksesit të tyre është edhe zgjedhja e Presidentit të vendit. “Aleanca hyn në zgjedhje më e përgatitur se më parë. E kemi përfunduar programin i cili është i fokusuar për situatën ekonomike dhe gjendjen me pandeminë. Poashtu kemi fondin e rimëkëmbjes prej 1 miliard euro dhe jemi në proces për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë”.

“Këto zgjedhje janë ndryshe, çelësi i suksesit të tyre është edhe zgjedhja e Presidentit të vendit, nëse kjo dështon, vendi mund të shkojë prapë në zgjedhje prandaj duke i ofruar Kosovës udhëheqjen e vendit, kemi marrë përgjegjësi me qenë gardian të të gjitha çështjeve të shtetit tonë, mes tyre sigurimin në NATO dhe BE”, tha ai në një konferencë për media.

Ndër të tjerash, Haradinaj i bëri thirrje mërgatës për të votuar.

“Unë e kam ngrënë vet bukën e mërgimtarit dikur, e ndjej dhe i kuptoj mërgimtarët jo veç nga kjo perspektivë por edhe nga ajo dikur, ju them që jo vetëm sot por ne jemi një dhe nuk jemi të ndarë. Gjithnjë do të jemi një për të ndërtuar bashkë interesin tonë. Ju bëj thirrje njerëzve tonë që jeta i ka dërguar në vende të ndryshme të botës të jenë në Kosovë dhe të jenë me njerëzit e duhur të Kosovës më 14 shkurt”.

“AAK i ka dy njerëz që e kanë fokusin në çështjen e diasporës, Meliza Haradinaj dhe Time Kadriaj të cilat e kanë fokusin tek mërgata. Gjithashtu, Arbnora Hasani është nga rrethina e Mitrovicës e cila jeton në Gjenevë, një vajzë e ngritur e cila do të përfaqësojë mërgatën si kandidate për deputet në këto zgjedhje”.

LEXO EDHE:

Back to top button