Heq dorë nga paratë, vetëm për të arkëtuar një titull kampioni

Xhejms Harden, një nga yjet e NBA-së, ende nuk e ka shijuar titullin e parë kampion edhe pse është një lojtar i jashtëzakonshëm. Transferimi nga Hjustoni te Bruklin Nets nuk pati sukses për “Mjekrën”, që në mes të sezonit të kaluar shkoi te Filadelfia, me shpresën e një fillimi të ri.
Për të ndihmuar skuadrën e tij ai ka vendosur të sakrifikojë një pjesë të rrogës së tij. Bëhet fjalë për një ulje të konsiderueshme, 15 milionë dollarë. Ai nuk ka shfrytëzuar klauzolën në favorin e tij, për të fituar 47 milionë dollarë, por do të firmosë një kontratë 1+1, me opsionin për të ikur pas një viti.
“U kam thënë drejtuesve të Filadelfia-s të përmirësojnë organikën, duke u dhënë më shumë hapësira financiare. Unë e dua me çdo kusht këtë titull dhe kjo sakrificë e tregon këtë gjë. Jam gati të paguhem shumë më pak për të arritur një titull dhe realizuar objektivin e ekipit”, tha mes tjerash Harden.
Ky i fundit do të arkëtojë 32 milionë dollarë sezonin e ri nga 47 milionë që kishte mundësi. Falë 15 milionëve të kursyera, Filadelfia arriti të marrë PJ Tucker nga Majami dhe D’Antoni Melton nga Memfisi.