Një ditë “në këpucët” e pjesëtarëve të policisë

Një ditë "në këpucët" e pjesëtarëve të policisë

Gazetare: Evi Shkopi

Një ditë “në këpucët” e pjesëtarëve të policisë për të parë nga një kënd tjetër ata të cilët quhen makthi i shkelësve të ligjit në trafik. Robert Tanevski, polic rrugor, pjesëtar i uniformave blu që prej 6 vjetësh. Ndërsa Agron Ademi, udhëheqës sektori në policinë rrugore. Prej 27 vjetësh, ai çdo ditë e vesh uniformën e policisë që në 6 të mëngjesit.

Sot do të udhëtojmë në ulëset e pasme të veturës së tyre, fatmirësisht jo si të shoqëruar për në stacion.

“Kontrollet zakonisht bëhen në pikat e zeza. Aty ku më së shumti ndodhin aksidente, bëjmë kontrolle më të përforcuara”, tha Agron Ademi- udhëheqës sektori, policia rrugore.

Pjesëtarët e policisë na treguan se më shumë shkelje të rregullave në qarkullimin rrugor bëhen në mëngjes dhe pasdite. Ndërsa gjatë verës, me ardhjen e mërgimtarëve, fluksi i automjeteve në qarkullim shtohet dukshëm.

“Shkelje ka më shumë në orët e mëngjesit kur njerëzit shkojnë në punë nga ora 8 deri në orën 9. Gjithashtu edhe kur kthehen nga puna, nga ora 16 deri në orën. Atëherë ka ngarkesë më të madhe, bëhen më shumë shkelje. Më shpesh shohim që t’i paralajmërojmë qytetarët. Kur bëhen shkelje më të rënda dhe rrezikohet siguria e qytetarëve marrim masa më rigoroze ndaj tyre, i sanksionojmë, tha Robert Tanevski – Polic Rrugor.

“Treska 327, për 315-tën?
– Marrje.
– Kontrollo motorin pranë teje.
Tani bëjmë kontroll rutinor. Vozitësi sipas pamjes së parë ishte në rregull, mbante edhe helmetën…. Nëse është në rregull i kërkojmë falje që e penguam dhe e lëshojmë.
-Në dokumentin që keni thuhet se keni bërë kërkesë për patentë të re, por nuk shkruan cilat kategori zotëroni. Do ta verifikojmë për një kohë të shkurtër.

Treska 300, për 315-tën?”

Por qytetari në fjalë duket se kishte bërë një lëshim për të cilin edhe u paralajmërua.

“Zotëri Lube, urdhëroni.
Ju kërkojmë falje që ju morëm kohë. … Herën tjetër përderisa nuk e keni marrë ende patentën prej atje ku keni bërë kërkesë, nuk do ta drejtoni motorin. Këtë herë jeni i paralajmëruar.”

Sot disa të tjerë kishin zgjedhur të mos lidhnin rripin e sigurisë, të mos u jepnin përparësi këmbësorëve, apo të drejtonin veturë me xhama të errët.
Qytetet ndryshojnë, por profesioni dhe përgjegjësia e tyre mbetet e njëjtë. Por sa respektohen uniformat nga ana e qytetarëve?

“Kryesisht respektohen. Respektohen uniformat, respektohet policia, respektohen edhe rregullat në komunikacion. Qytetarët janë të vetëdijshëm se me respektimin e rregullave të komunikacionit, ato janë për të mirën e tyre”, theksoi Agron Ademi- udhëheqës sektori, policia rrugore.

Policët janë në terren edhe kur dielli përvëlon, por edhe kur temperaturat janë nën zero.

“E dini si, çdo profesion ka peshën e vet. Ashtu edhe tek ne, për shkak të dashurisë kundrejt këtij profesioni nuk kemi asnjë problem as me temperaturat e larta dhe as me ato të ulëta. Thjesht bëjmë atë që na është udhëzuar, kryejmë detyrën tonë”, shtoi Robert Tanevski- polic rrugor./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button