Heshtjen e institucioneve BDI e ka llogaritur pozitiv, Këshilli ka ndryshuar emrat në Tetovë pa marrë përgjigje
Gazetar: Suad Bajrami
Kryeministri Hristijan Mickoski ka përsëritur qëndrimin lidhur me ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë, e cila u aktualizua pasi Gjykata Kushtetuese javën e kaluar vendosi për të shfuqizuar 11 emra të miratuara nga Këshilli i Komunës para 19 vitesh. I pyetur nëse ka marrëveshje me kreun e Tetovës Bilall Kasami për të rikthyer këto emra, Mickoski tha se me Kasamin ka biseduar paraprakisht vetëm për emërtimin e rrugëve që aktualisht identifikohen me numra.
“Me zotëri Bilall Kasamin në të kaluarën kemi biseduar për emra të rrugëve të cilat janë pa numër ose me numër që të marrin emër të njerëzve të cilët janë meritorë për Maqedoninë si shtet i pavarur dhe unë qëndroj pas asaj, pasi nuk do të ishte mirë të keni adresë pa numër ose me numër, më mirë që ajo rrugë të merr emër të njeriut apo personaliteti i cili është meritor për Maqedoninë e pavarur, demokratike dhe sovrane”, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski.
Gjykata Kushtetuese i rrëzoi emrat e miratuara në vitin 2007, meqë nuk ka ekzistuar pajtimi i domosdoshëm i Qeverisë dhe për këtë 19 vite rrugët janë përdorur vetëm nga Komuna, por jo edhe nga institucionet shtetërore meqë nuk janë regjistruar në Regjistrin e Adresave dhe pikërisht për këtë, të dhënat nuk janë ndërlidhur me MPB-në, Kadastrën apo Entin e Statistikave.
Alsat gjatë ditës kontaktoi Resi Abdurahmanin, ish kryetarin e Këshillit të Komunës së Tetovës nga radhët e BDI-së, në kohën kur është miratuar vendimi për t’i ndryshuar emrat. Ndonëse nuk pranoi të fliste përpara kamerës së Alsat, ai na shpjegoi të gjitha rrethanat se si është miratuar vendimi për t’i ndryshuar emrat e rrugëve. Asokohe, sipas tij kanë dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Transportit për të marrë pajtim për ndryshimin e emrave, megjithatë nuk kanë marrë përgjigje nga Ministria. Siç tha Abdurrahmani, heshtjen e Ministrisë, Komuna e ka llogaritur përgjigje pozitive dhe për këtë Këshilli e ka votuar në seancë. I pyetur se pse nuk është kryer regjistrimi në Regjistrin e Adresave që praktikisht të shpërndahen pastaj të dhënat në MPB, Kadastër dhe Ent të Statistikave, Rrahmani tha se procesin e kanë zvarritur për arsye politike.
Emrat e rrugëve të Tetovës që i shfuqizoi Gjykata Kushtetuese praktikisht për 19 vite kanë qenë ilegale. Shteti asnjëherë nuk i ka njohur emrat e rinj dhe për atë qytetarët i kanë pasur emrat e vjetra nëpër dokumente, ndërsa përdorimi i tyre është bërë vetëm për nevojat e komunës.
Ndërkohë partitë politike vazhdojnë përplasjen për të kërkuar fajtorin. BDI-ja në Tetovë dje paralajmëroi protesta dhe referendum, në rast se brenda tre ditësh nuk mblidhet Këshilli i Komunës për të ri-emëruar rrugët. Nga ana tjetër, Kasami që 14 muaj kishte kohë, por nuk parandaloi vendimin e Kushtetues, premton se do t’i rikthejë emrat. /Alsat.








