Gazetar: Avni Tahiri
Pajazit Jakupi nga fshati Lubin i Sarajit, është një ndër shumë pensionistët që çdo të martë dhe të premte shet prodhimet në cep të Bit Pazarit. Por sot, pas aksionit të Agjencisë së Ushqimit dhe Inspektoratit të Tregut, ai mundi të shpëtoje vetëm njërën nga kovat me qepë, pasi tjetra i përfundoi në rimorkion e kamionit së bashku me shumë produkte të tjera të konfiskuara.
”Sot vetëm qepe kishe? Po, po. Mi morën një kovë, i derdhen në kamion ndërsa pjesë mbeti pasi i mora dhe ika.”Unë desha të shes, por erdhën mbi 20 policë së bashku me inspektorët, i morën të gjitha dhe i futen në kamionë, unë i mora kovat dhe ika këtu. Çfarë të mbeten qepë vetëm? Po vetëm qepet.”Mundohemi të jetojmë por ky shtet të lejon që të jetosh, ky shtet shkon nga fundi. tha Pajazit Jakupi – Shitës ambulant
Nuk shpëtuan as shitësit e tjerë ambulante, pasi gjatë aksionit u konfiskuan speca, pjepër, rrush dhe fruta e perime të tjera stinore, por edhe rroba e këpucë, të cilat, së bashku me çadrat dhe tezgat e shitësve, përfunduan në kamionët e Inspektoratit. Të dëshpëruar, shitësit ambulant kërkojnë një vend të veçantë për shitje.
”Duhet të gjejnë zgjidhje pasi në pazare ne nuk dalim çdo ditë por tre apo katër ditë në muaj, nuk paguhet që të paguajmë tezgë për 3 apo 4 here në muaj.”Me të drejtë ikin të rinjtë jashtë shtetit, të isha në vitet e juaja nuk do rrija as dy ditë këtu. Je i dëshpëruar? Shumë…..”
“Gjithçka u morën tjerëve, speca, domate i futen në kamionë, unë sapo erdha. Çfarë shitni sot? po ja fiq, vezë, hudhra. Gjithçka tjetër morën në kamionë.”
Nga Agjencisë për Ushqim dhe veterinari informuan se gjatë kontrolleve u konfiskuan rreth 500 kilogramë ushqime, kryesisht produkte bujqësore, si fruta e perime.
“Janë larguar të gjitha tezgat e vendosura ilegalisht, shumica e të cilave shisnin fruta dhe perime. Është konfiskuar ushqim në sasi prej rreth 500 kilogramësh, pjesa më e madhe produkte bujqësore, si dhe është larguar e gjithë pajisja për shitje, e cila ishte vendosur ilegalisht në shtigjet e këmbësorëve dhe biçikletave.”; thanë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë
Aksioni i sotëm në Bit Pazar nisi në orët e para të mëngjesit ndërsa sipas agjencisë së ushqimit ndaj shkelësve do të shqiptohen masa përkatëse. Përveç aksionit në Bit Pazar të Shkupit, në një aksion në Gostivar, në një pronë private në fshatin Çajle u konfiskuan 150 kilogramë mish me afat të skaduar, pa deklaratë dhe me origjinë të panjohur. Mishi u asgjësua në deponinë Rusino./Alsat.mk








