Shkatërrohet grupi terrorist nga Shkupi, arrestohen 5 persona

" "

Pushka automatike, snajperë, revole, plumba të kalibrave të ndryshëm, jelekë, radio lidhje, flamur të ISIS-it, pajisje elektronike dhe shuma të majme të hollash janë gjetur gjatë bastisjeve në gjithsej 12 lokacione të ndryshme në Shkup si në Hasanbeg, Çair dhe fshatin Brezë  ku janë arrestuar pesë persona. Bëhet fjalë për 34 vjeçarin K.I i cili në vitin 2023 ka filluar të veprojë në korniza të organizatës me ideologji të ISIS-it. Bashkë me të kanë funksionuar dhe 24 vjeçari B.A dhe 30 vjeçari E.S. Nga pesë të arrestuarit, kallëzim penal është ngritur ndaj për tre prej tyre.

“K.I si pjesëtar i organizatës terroriste ISIS, ka kryer indoktrinimin e të rinjve për përmbushjen e qëllimeve të organizatës terroriste ISIS, e gjithashtu ka shpërndarë dhe material propagandues me përmbajtje radikale ndërsa është furnizuar dhe me armë zjarri. B.A (24) dhe E.S (30), bashkë me K.I kanë formuar grup ku në mënyrë të palejuar kanë mbajtur dhe tregëtuar me armë zjarri dhe municion.” – Thanë nga MPB.

Nga Agjencia për Siguri Kombëtare kanë njoftuar gjithashtu se grupi ka qenë e lidhur me organizata transnacionale kriminale të cilat lidhen me vepra të tjera sikurse dhunë, fajde, kidnapim, mashtrim, tregti të lëndëve narkotike dhe aktivitete të tjera kriminale. Qëllimi i tyre ka qenë shtrirja e ndikimit dhe kryerja e veprave penale nga natyra e terrorizmit benda Maqedonisë së Veriut. Një pjesë e të arrestuarve janë në relacione të afërta me pjestarë të luftërave nga vendi dhe rajoni, njoftuan nga Agjencia për Siguri Kombëtare. Prokuroria Publike ka kërkuar nga Gjykatësi i procedurës paraprake, të shqiptojë masën e paraburgimit prej 30 ditëve për tre të dyshuarit.

“Prokurori Publik nga PTHPNKOK ka urdhëruar hapjen e një procedure hetimore kundër tre personave shkaku i dyshimeve të bazuara se i dyshuari i parë ka kryer vepër penale “Terrorizëm”, e së bashku me dy të dyshuarit e tjerë dhe vepër penale “përpunim, mbajtje dhe tregëti të palejuar të armëve dhe materjeve eksplozive. Është dorëzuar propozim për masë të paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve”. – Prokuroria Publike.

Përpos armëve, gjatë bastisjeve janë zbuluar gjithashtu edhe njësi kompjuterike për gërmimin e kriptovalutave, si dhe dokumentacione të tjera. I gjithë aksioni është zhvilluar gjatë ditës së djeshme ndërsa procedura bazohet në dëshmi të siguruara gjatë një procedure parahetimore, të dokumentacioneve dhe dëshmive që është në fazë të gjykimit, si dhe dëshmi të siguruara përmes ndihmës ndërkombëtare. Mbi aksionin e koordinuar edhe me asistencë ndërkombëtare është deklaruar edhe drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski i cili ka shkruar shkurt: “Terrorizmi nuk paguhet. Shteti vështron, institucionet veprojnë”./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button