Histori rrënqethëse prapa grilave në burgun e grave në Idrizovë

Histori rrënqethëse prapa grilave në burgun e grave në Idrizovë

Gazetare: Ajnur Bafqari

“Shumë më ka marrë malli, për besë shumë më ka marrë malli…”

Mall, pendim, lot që nuk thahen edhe pse vitet kalojnë. Dashuri që nuk janë shuar edhe pse në mes kishte vrasje “E kam dashur dhe mendoj se akoma e dua, ndoshta do të më quani. Nuk e di si, por mendoj se akoma e dua”.

Këto mure kanë dëgjuar shumë histori rrëqethëse, kanë parë momente që kanë bërë kthesa të mëdha në jetët e këtyre grave të bëra bashkë në një vend, në burgun e Idrizovës.

71-vjeçarja Shefije Jakupi është njëra prej tyre. Pas 15 abortesh dhe dhunës së vazhdueshme nga bashkëshorti i saj, në moshën 54-vjeçare ajo vendosi t’i jepte fund vuajtjeve të saj, në mënyrë arbitrare, duke i marrë jetën të shoqit.

“Në shkurt i mbush rrafsh 15 vite këtu, edhe dy vite në Demir Hisar, 17 vite. 17 vite nuk kam dalë. Krejt bëjnë nga një gabim, s’ka njeri pa gabime. Tani i kam 71 vjeçe, u kalba këtu, njëherë kam dal në fundjavë, ka ardhur vajza nga Gjermania. Dy herë nga 7 orë kam dal dhe këtu jam kalbur”, tha Shefije Jakupi, e burgosur.

Ndërsa e burgosura tjetër, pas dhunës së vazhdueshme për 12 vite më radhë, endjes nëpër stacione policore e korridore gjykatash duke kërkuar mbrojtje nga bashkëshorti, në një moment, vendosi, siç thotë ajo, ta merrte vetë drejtësinë në duar.

“Jam e dënuar me 8 vite burg, 3 vite dhe 4 muaj dje i bëra që kur jam burgosur”

A jeni penduar?

“Shumë, dhe mendoj se deri në fund të jetës do të pendohem, shumë”, tha Anita Stojova, e burgosur.

As pajisjet e reja për trajnim, as lojërat me letra apo angazhimi me punë dhe aktivitete brenda burgut, duket se nuk u ndihmon grave të burgosura që ta shtyjnë kohën.

Ky oborr i vogël në burgun e Idrizovës, është e vetmja portë që i lidh të burgosurat me botën e jashtme, ndërkohë që disa prej tyre, dalin këtu vetëm një herë në ditë, për vetëm dy orë. Ato thonë se po ballafaqohen me mungesa të kushteve elementare jetese, si uji, ngrohja, produktet për mirëmbajtjen e higjienës dhe mjekimi i duhur.

“Jam e sëmurë, dridhem, ngrohje nuk ka, ujë nuk ka, me ujë të ftohtë lahemi. Ushqimi nuk bën, me një peshk çfarë do të bësh, një peshk, 24 orë rrimë pa ngrënë. Nuk ka kushte këtu. Unë nuk mundem më, shumë më kanë dhënë, 20 vjet burg. Ditën mezi e çojmë, mezi. Secila grua ka probleme, kanë fëmijë, i kemi harruar, edhe fëmijët i kemi harruar, si të huaj. Ja, ajo punon në kuzhinë, unë pak jashtë dal për të pastruar, sa të më kalojë koha, dalim pak nga 2 orë, edhe na mbyllin pastaj, edhe vetëm rrimë në dhomë, nga 5 gra jemi në dhomë”, tha Shefije Jakupi, e burgosur.

Por ka edhe nga ato që kohën e shtyjnë duke lexuar e shkruar libra.

“Lexoj libra, luajmë letra, momentalisht tani me këto pajisjet.  Për libër kam shkruar një libër se si kam arritur deri këtu ku jam tani. Dhomat brenda janë me lagështi. Pothuajse gjithë javën jemi me gjysmë ore, në çdo dy orë ujë, vetëm gjysmë orë kemi ujë. Dhe kur të vjen koha, jemi 52 gra brenda, vrapojnë cila e para të lahet, të lajë enët. Për ushqim, ka gra që mbijetojnë me ushqimin e burgut, a ushqimi i burgut është drekë për drekë, në orën 5 të pasdites, ndonjëherë edhe 4 e gjysmë, tre. Së pari, nuk kemi detergjent për enët.  Pothuajse prej 2 muajsh, nuk ka asgjë nga produktet higjienike”, tha Anita Stojova, e burgosur.

Kushtet janë të vështira si për gratë e zakonshme, si për ato të sëmura apo shtatzëna. Në burg janë pritur e përcjellë edhe gra shtatzëna, njëra prej të cilave, siç na thanë të burgosurat, ka qëndruar brenda bashkë me foshnjën e saj të sapolindur./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button