Hoti: Hapja e shkollave varet nga situata epidemiologjike


Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë po përgatisin udhëzuesin për mënyrën e organizimit të vitit të ri shkollor nga 1 shtatori, ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Në një postim në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se po studiohen përvojat e vendeve të tjera.

Sipas tij, po ashtu janë duke shqyrtuar edhe platformat e ndryshme të ndihmesës për stafin mësimdhënës dhe nxënësit, sidomos në organizimin më të mirë të punës praktike në arsimin e mesëm profesional.

Megjithatë, Hoti tha se vendimi final për hapjen e shkollave do të ndikohet nga gjendja epidemiologjike.

“Në procesin e vendimmarrjes do të përfshihen plotësisht komunat, të cilat do të kenë përgjegjësi që të zbatojnë udhëzimet. Gjatë javës që vjen, do të jemi në kontakt me kryetarët e komunave dhe drejtorët për arsim, për të diskutuar modalitetet e mundshme të fillimit të vitit shkollor”, ka shkruar Hoti.

Institucionet shkollore në Kosovë ishin mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Pastaj, Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të vazhdojë nga distancë.

Për klasat 1-9, mësimi është realizuar nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik, si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube.

Ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta mësimi në distancë zhvillohet në mënyrë të decentralizuar ku mësimdhënësit janë bartësit kryesor të mësimit në distancë.

LEXO EDHE:

Back to top button