Hoti: Me Serbinë takohemi vetëm për njohje reciproke


Më 4 shtator në Uashington do të mbahet takimi i palës kosovare dhe asaj serbe, me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Richard Grenell.

Delegacioni shtetëror i Kosovës ka arritur mbrëmë në kryeqytetin amerikan, pas dështimit të takimit në qershor, për shkak të propozim-aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi.

E kryeministri Avdullah Hoti ka folur rreth temave të takimit me palën serbe të premten në Shtëpinë e Bardhë, ku është paralajmëruar edhe prezenca e presidentit Donald Trump.

Ai tha se procesi i dialogut do të çojë në njohjen e Kosovës dhe se me Serbinë takohen vetëm për njohje reciproke.

“Gjithçka është në funksion të normalizimit të marrëdhënieve që nënkupton edhe njohje reciproke. Nuk do të ketë kthim mbrapa nga ky qëndrim dhe në çdo bisedë do të ketë bisedime për njohje reciproke”, u shpreh ai për Klan Kosova.

Kryeministri Hoti nuk ka dhënë detaje nëse në takim do të jetë i pranishëm edhe presidenti Donald Trump.

“Nuk mund të jap këtë informatë. Ne kemi ardhur të përgatitur dhe jemi të gatshëm të ecim përpara. Koalicioni qeverisës ka harmonizuar qëndrimet sa i përket dialogut dhe nuk do të ketë kthim mbrapa në kërkesën për njohje reciproke”, ka thënë Hoti.

Ai ndërkaq ka hedhur poshtë mundësinë e diskutimeve për shkëmbim të kufijve me Serbinë.

“E kemi hequr nga tavolina çështjen e shkëmbimit të territoreve”, është shprehur Hoti.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar delegacionin shtetëror të Kosovës se po shkon në bisedime në Uashington pa e ditur agjendën e takimit, ndërkohë që në Shtëpinë e Bardhë më herët është thënë se do të diskutohet për tema që kanë të bëjnë me ekonominë dhe investimet.

LEXO EDHE:

Back to top button