Hoxha paralajmëron masa rigoroze ndaj “ASD Metal Group” pas zjarrit në Vizbeg: Ende po maten helmet në ajër
Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi
Ministri i Ekologjisë Muhamet Hoxha paralajmëron masa ndaj kompanisë “ASD Metal Group”, për zjarrin qe shpërtheu ditë më parë në njërën nga deponitë e kësaj kompanie në Vizbeg.
“Inspektorati shtetëror për mjedis ka dalë në terren me të gjitha institucionet tjera përfshirë këtu edhe Prokurorinë Publike njëkohësisht edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme…nuk do të ketë tolerancë për asnjë kompani dhe asnjë ndotës të ambientit jetësor,” deklaroi Muhamet Hoxha- Ministër i Ekologjisë.
Hoxha sqaroi që depoja tjetër e metaleve e ASD Metal Group e cila u përfshi nga zjarri i madh vitin e shkuar nuk ka pasur licencë. Prokuroria ka dorëzuar aktakuzë ndërsa pritet fillimi i procesit gjyqësor. Hoxha shtoi se depoja në Vizbeg ka poseduar leje pune por hetohen arsyet e shpërthimit të zjarrit dhe nëse ka punuar konform ligjit.
“Bëhet fjalë për kompaninë e njëjtë por në kuadër të territorit të cilën e posedon lejen për funksionim, kurse objekti tjetër është jashtë funksionimi,” tha Muhamet Hoxha, Ministër i Ekologjisë.
Hetimi i ri duhet të zbardhë shkaqet e zjarrit dhe dëmet që ka shkaktuar ndaj mjedisit jetësor pasi gjatë zjarrit u dogjën automjete të vjetra, akumulatorë, bateri, karburante dhe materiale të tjera që shkaktojnë ndotje të madhe. /Alsat.mk








