Avokatët prezantojnë rastin për shfajësim të Trumpit

Avokatët e ish-presidentit amerikan Donald Trump, kanë nisur mbrojtjen për të më 12 janar, duke i thënë Senatit se padia kundër Trumpit duhet të kundërshtohet meqë është “qartazi antikushtetuese” dhe shenjë hakmarrjeje nga demokratët.

Avokati i Trumpit, Michael van der Veen, i ka thënë Senatit, teksa ka prezantuar argumentet mbrojtëse, se “padia para Senatit është e paarsyetueshme, qartazi antikushtetuese dhe akt i hakmarrjes politike”.

“Kjo padi është e ndarë nga faktet, të dhënat dhe interesat e popullit amerikan”, ka thënë ai, duke u bërë thirje të 100 anëtarëve të Senatit që ta “kundërshtojnë me vendosmëri atë”.

Avokatët e Trumpit do të kenë 16 orë për të prezantuar mbrojtjen e tyre, ndonëse ndihmësit kanë thënë se ata mund ta bëjnë një gjë të tillë brenda një dite.

Sipas atij skenari votimi në Senat nëse do të dënohet Trumpi do të mund të ndodhë më 13 shkurt.

Argumentet e tyre mbrojtëse kanë nisur një ditë pasi demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë prezentuar gjithë rastin e tyre kundër Trumpit, duke u bërë thirrje senatorëve që ta dënojnë atë për nxitje të turmave që kanë sulmuar Kongresin më 6 janar.

Nëse të gjithë anëtarët e Senatit amerikan janë prezentë në ditën e votimit, senatorëve demokratë do t’iu duhen të paktën 17 republikanë në Senatin tejet të ndarë për të siguruar dy të tretat e nevojshme për të dënuar Trumpin për “nxitje të kryengritjes”.

Megjithatë, për ta dënuar atë nevojiten dy të tretat e shumicës së të gjithë senatorëve që janë në sallë.

Ka analistë politikë që thonë se disa senatorë republikanë mund të mos jenë aty – duke krijuar situatën të tillë që senatorëve demokratëve t’iu duhen më pak se 17 senatorë për ta dënuar ish-presidentin.

Deri më tani vetëm disa republikanë kanë thënë se kanë gatishmëri për ta dënuar Trumpin, i cili vazhdon të jetë i popullarizuar në bazën e partisë ku është.

Dënimi mund të rezultojë me votë për t’ia ndaluar Trumpit garën për zyrë federale në të ardhmen.

LEXO EDHE:

Back to top button