Ebola rishfaqet në Republikën Demokratike të Kongos

Republika Demokratike e Kongos (DRC) njoftoi dje një rishfaqje të virusit Ebola në pjesën lindore të vendit, më shumë se dy muaj pas përfundimit të epidemisë së fundit, transmeton Anadolu. Pacientja, e cila tashmë ka ndërruar jetë, ka qenë gruaja e një të mbijetuari nga Ebola. Mostrat janë dërguar në Institutin Kombëtar të Kërkimeve Biomjekësore në kryeqytetin Kinshasa për sekuencimin e gjenomit për të përcaktuar nëse ekziston një lidhje me shpërthimin e mëparshëm, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në një deklaratë.

“Unë gjithashtu dua t’u them vëllezërve dhe motrave të mia të Butembo të mos kenë panik”, citoi faqja lokale e lajmeve Actualite ministrin e Shëndetësisë Eteni Longondo.

“Një ekip tjetër kombëtar do të pasojë javën e ardhshme. Ne jemi këtu. Do të bëjmë gjithçka që kjo sëmundje të zhduket sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi Longondo.

Ai tha se është formuar një ekip provincial i reagimit, i cili dje arriti në qytetin verilindor Beni.

Ekspertiza dhe kapaciteti i ekipeve shëndetësore lokale kanë qenë kritike në zbulimin e këtij rasti të ri me Ebola dhe hapjen e rrugës për një reagim në kohë, tha Dr. Matshidiso Moeti, drejtoresha rajonale e OBSH-së për Afrikën.

“OBSH-ja po siguron mbështetje për autoritetet lokale dhe kombëtare të shëndetit për të gjurmuar, identifikuar dhe trajtuar shpejt kontaktet për të kufizuar përhapjen e mëtejshme të virusit”, shtoi Moeti.

Më 18 nëntor 2020, autoritetet e Republikës Demokratike të Kongos shpallën fundin e epidemisë së 11-të të Ebolas në provincën veriperëndimore Equateur.

Të paktën 130 njerëz u infektuan dhe 55 vdiqën në epideminë e fundit, e cila ndodhi në komunitete të shpërndara nëpër pyje të dendura shiu, si dhe në zona të mbipopulluara urbane, duke krijuar sfida logjistike.

Duke filluar në provincën Kivu Veriore në gusht të vitit 2018, epidemia e dhjetë e Ebolas ishte epidemia e dytë më e madhe në botë dhe veçanërisht sfiduese pasi ndodhi në një zonë aktive konflikti.

Sipas OBSH-së, ka pasur 3.470 raste, 2.287 vdekje dhe 1.171 të mbijetuar.

Ebola, ethe tropikale që u shfaq për herë të parë në vitin 1976 në Sudan dhe DRC, transmetohet te njerëzit nga kafshët e egra.

Sëmundja shkaktoi alarm global në vitin 2014, kur epidemia më e keqe në botë filloi në Afrikën Perëndimore, duke vrarë më shumë se 11.300 njerëz dhe duke infektuar rreth 28.600, ndërsa përfshiu Liberinë, Guinenë dhe Sierra Leonen.

LEXO EDHE:

Back to top button