Grabitja në shtëpi, lë me pasoja mbrojtësin e Man. Sitit

Mbrojtësi i Man. Siti, Zhoao Kanselo, u sulmua në shtëpinë e tij nga katër hajdutë të enjten mbrëma. 27-vjeçari ka pësuar lëndime në fytyrë, pasi ka luftuar kundër grabitësve, të cilët janë larguar me bizhuteritë e vjedhura. Partnerja e Kanselos, Daniela dhe vajza e vogël ishin në shtëpi kur ndodhi grabitja, një incident që i la të tronditur.

 

Ylli portugez, i cili jeton në periferi të Mançesterit, postoi një fotografi të tij në Instagram për të dokumentuar plagët pas sulmit.

“Fatkeqësisht, sot u sulmova nga katër frikacakë që më lënduan dhe u përpoqën të lëndonin familjen time. Kur bën rezistencë, kjo është ajo që ndodh. Ata arritën të m’i merrnin të gjitha stolitë dhe ta linin fytyrën time në këtë gjendje. Nuk e di se si ka njerëz kaq të poshtër. Gjëja më e rëndësishme për mua është familja dhe për fat të mirë janë të gjithë mirë. Pas kaq shumë pengesash në jetën time, kjo është vetëm një më shumë që do ta kapërcej. I vendosur dhe i fortë, si gjithmonë,” ka shkruar Kanselo.

Man. Siti reagoi me një komunikatë.

“Jemi të tronditur dhe të tmerruar që Zhoao Kanselo dhe familja e tij iu nënshtruan një vjedhjeje në shtëpinë e tyre këtë mbrëmje, gjatë së cilës Joao u sulmua gjithashtu. Zhoao dhe familja e tij po mbështeten nga klubi, ai po ndihmon policinë me hetimet e kësaj çështjeje shumë serioze”.

Kanselo iu bashkua “qytetarëve” në vitin 2019 si transferim prej 60 milionë stërlina, ardhur nga gjiganti italian, Juventusi./Telesport.al/

LEXO EDHE:

Back to top button