Keqpërdorimi i listës së vaksinimit, do të shkarkohet sekretari i Spitalit të Ohrit

Shkarkohet nga detyra sekretari i Spitalit të Ohrit, dy ditë pasi mori vaksinën kundër Kovid. Vaksinimi i tij ngjalli reagime të shumta ndërsa nga ministria e Shëndetësisë u cilësua si keqpërdorim dhe shkelje e listës prioritare për vaksinim, ku të parët në listë figurojnë mjekët të cilët punojnë me pacientët nëpër Qendrat Kovid.

“Drejtori i Spitalit të përgjithshëm në Ohër do ta shkarkojë dhe pezullojë sekretarin e Spitalit, i cili në kundërshtim me Planin nacional për imunizim, është vaksinuar pa radhë në Spitalin modular në Shkup. Ministri i Shëndetësisë dënon çdo keqpërdorim dhe shkelje të prioriteteve që i përfshin tre fazat e imunizimit për Kovid”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Përmes telefonit sekretari i Spitalit të Ohrit Antonio Naumovski tha për ALSAT se nuk është i njoftuar për shkarkimin e tij dhe se nga sot ai ndodhet në pushim mjekësor. Megjithatë tha se do të ankimojë vendimin për shkarkim si dhe paralajmëroi padi.

ALSAT drejtori pyetje deri në ministrinë e Shëndetësisë nëse shkarkimi gjatë pushimit mjekësor është kontestues, por nuk morëm përgjigje. Nga MSH gjithashtu nuk iu përgjigjën pyetjeve të ALSAT se përse nuk ka pasur sanksione për drejtorin e Spitalit i cili është hartuesi i listës së vaksinimit, të cilës i është referuar sekretari gjatë vaksinimit. Spitali i Ohrit nga ana tjetër ka formuar Komision të brendshëm për t’i shqyrtuar lëshimet në proces.

Në Spitalin modular në Shkup ndërkohë vazhdon procesi i vaksinimit të personelit mjekësor. Deri më tash janë dhënë mbi 1000 vaksina “Pfizer”.

Ndërkohë procesi i blerjes së vaksinave ruse “Sputnik V” është në fazën e bisedimeve. Kryeministri Zaev tha se ende nuk është nënshkruar marrëveshja, por se janë në bisedime me autoritetet ruse për sjelljen sa më të shpejtë të vaksinave.

200,000 vaksinat kineze pritet të arrijnë deri në fund të shkurtit. 5860 vaksinat direkt nga Pfizer pritet të vijnë në mars, ndërkaq pakoja me vaksinat e mbetura që janë donacion nga Serbia pritet të mbërrijnë brenda dy javësh.

Vjollca Aliti                                                                   

LEXO EDHE:

Back to top button