Kurti e Vuçiq, më 3 maj takohen në Bruksel

Kurti e Vuçiq, më 3 maj takohen në Bruksel

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq pritet të nënshkruajnë deklaratën për personat e pagjetur gjatë luftës se fundit në Kosovë, me 2 maj në Bruksel. Në takimin e radhës ndërmjet tyre do të diskutohet edhe për mekanizmin për vetëmenaxhim të komunitetit serb në Kosovë. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni tha se mekanizmi për vetëmenaxhim është ndryshe prej Asociacionit dhe ka kompetenca të tjera prej tij.

“Kemi bërë përpjekje maksimale që edhe në kuadër të dialogimit të flasim për një mekanizëm të ri, ndryshe prej Asociacionit dhe jo të kthehet diskutimi tek marrëveshjet e së kaluarës që në bazë e kanë pasur Asociacionin njëetnik… (Në takimin e 3 majit në Bruksel) Do të nënshkruhet marrëveshja që tashmë është dakorduar në takimin e kryenegociatorëve për personat e pagjetur”, deklaroi Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Lëvizja Vetëvendosje.

Por, në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se marrëveshja Kosovë-Serbi nuk duhet të reduktohet vetëm në Asociacion.

“Marrëveshja Kosovë-Serbi nuk duhet të reduktohet vetëm në Asociacion, pasi ai do të jetë rreziku më i madh. Marrëveshja e Ohrit duhet të shkojë më së pari në trajtimin e marrëveshjes bazë të parimeve, e cila i ka disa elemente të ecjes përpara të Kosovës në raportin ndërkombëtar”, u shpreh Besnik Tahiri, AAK.

Takimi më 3 maj është i pari ndërmjet Kurtit dhe Vuçiq, që nga dakordimi në Ohër më 18 mars për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button