Në SHBA rreth 2 milion qytetarë janë vaksinuar kundër Covid-19

Pothuajse 2 milionë qytetarë në SHBA janë vaksinuar kundër COVID-19, tregojnë shifrat e fundit nga Instituti kombëtar i shëndetit publik.

Përderisa 1.944.585 qytetarë kanë marrë vaksinën kundër COVID-19, ka pasur 9.547.925 doza të shpërndara që nga e shtuna në ora 9:00 të mëngjesit, treguan të dhënat e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Diferenca e madhe midis shifrave është rezultat i menaxhimit të rezervave të vaksinave në dispozicion nga juridiksioni dhe vonesave në raportimin e dozave të administruara, tha CDC, duke shtuar se ofruesit e kujdesit shëndetësor raportojnë dozat në agjencitë e shëndetit publik shtetëror dhe lokal deri në 72 orë pas administrimit.

Kompania farmaceutike në SHBA, Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech njoftuan të mërkurën se bënë marrëveshje të dytë me qeverinë amerikane për të furnizuar 100 milionë doza shtesë deri më 31 korrik, për të cilat ata do të marrin edhe 1.95 miliardë dollarë.

Marrëveshja dyfishon numrin e përgjithshëm të dozave që kompanitë duhet të japin për tregun amerikan si pjesë e operacionit Warp Speed të administratës së presidentit Donald Trump.

Pasi zëvendëspresidenti Mike Pence u bë zyrtari i parë i lartë i SHBA-ve që u vaksinua më 18 dhjetor në një transmetim të drejtpërdrejt, ai u pasua nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, Nancy Pelosi, udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McConnell dhe disa ligjvënës të tjerë.

Sipas CDC, presidenti i zgjedhur Joe Biden dhe gruaja e tij, Jill Biden gjithashtu morën dozat e tyre të para të vaksinës të hënën e kaluar.

Trump, nga ana tjetër, deri më tani kryesisht ka qëndruar larg syve në fushatën më të madhe të vaksinimit në historinë e SHBA-ve.

Ai u shërua nga COVID-19 në tetor pasi mori një terapi eksperimentale me antitrupa monoklonale. Trump duhet të presë të paktën 90 ditë nga trajtimi i tij për t’u vaksinuar për të shmangur çdo ndërhyrje të mundshme.

Një sondazh i fundit në SHBA tregoi se vetëm gjysma e popullsisë dëshiron të marrë vaksinën kundër COVID-19, ndërsa një e katërta e të rriturve nuk ishin të sigurt nëse duan të vaksinohen kundër koronavirusit, sipas një sondazhi nga Associated Press – NORC Center for Public Affairs Research të lëshuar më 9 dhjetor.

Sipas ekspertëve të shëndetit, të paktën 70 për qind e popullsisë amerikane duhet të marrë vaksinën për të arritur imunitetin e tufës.

Sipas shifrave të fundit nga Universiteti “Johns Hopkins”, SHBA ende udhëheq në botë me më shumë se 19.1 milionë raste dhe më shumë se 333 mijë vdekje./AA/

LEXO EDHE:

Back to top button