Partia shqiptare në pushtet sërish premton largimin e librave me përmbajtje fyese

Edhe një premtim tjetër nga partia shqiptare në pushtet për heqjen nga qarkullimi të teksteve shkollore me përmbajtje fyese dhe shtrembërim faktesh. Në takimin e fundit të zv-kryeministrit Artan Grubi me ministren e Arsimit, Mila Carovska dhe ish ministrin e Arsimit, Arbër Ademi, u dakorduan që në përputhje me Ligjin për librat shkollor për arsim fillor dhe të mesëm të shqyrtohen dhe korrigjohen të gjitha parregullsitë dhe padrejtësitë në të gjitha tekstet shkollore duke nisur menjëherë nga libri i gjeografisë për vitin e dytë të shkollës së mesme.

“Me librin e gjeografisë për vitin e dytë të shkollave të mesme si dhe me librat tjerë, do të aplikohet neni 26, paragrafi 2 i Ligjit për librat shkollor. Në këtë pjesë të ligjit thuhet se tërheqja e teksteve shkollore nga përdorimi bëhet nëse të njëjtat përmbajnë materie e cila ofendon historinë, kulturën dhe vlerat në përgjithësi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thonë nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Por premtime të ngjashme, nga ministra e zv.ministra të BDI-së kishte edhe shumë vite më herët. Alsat shumë herë ka raportuar për gabime të shumta si përmbajtjesorë ashtu edhe fyese në disa tekste shkollore në arsimin fillor, siç janë gjeografia, historia dhe shoqëria. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit në vazhdimësi kishin premtuar përmirësimin e gabimeve e deri te botimi i librave të rinj, duke thënë madje se formojnë edhe komisione, por këto libra ende vazhdojnë të jenë pjesë e mësimit. Në këtë libër thuhet se shqiptarët kanë qenë maqedonas dhe se me pranimin e fesë islame janë shqiptarizuar.

 

Melihate Rustemi

LEXO EDHE:

Back to top button