Qeveria thotë se kriza ekonomike po zbutet

Ekonomia në tremujorin e dytë të vitit ka shënuar rritje prej 13,1% të Prodhimit Bruto Vendor. Enti Shtetëror i Statistikave ka njoftuar se ka rritje të eksportit të mallrave prej 62%, por njëkohësisht është vërejtur edhe rritje e importit prej 64%. Sa i përket sektorëve, rritja është konstatuar te tregtia me shumicë dhe pakicë, transport, te biznesi me kapacitet akomodimi, minierë, industri përpunuese dhe furnizimi me energji elektrike. Edhe këto sektorë kanë ndikuar në rritjen e Prodhimit Bruto Vendor. Kryeministri Zoran Zaev është shprehur se këto të dhëna e arsyetojnë optimizmin se kriza ngadalë po largohet ndërsa ekonomia seriozisht rimëkëmbet.

Kjo do të thotë se në gjysmën e parë të vitit arritëm rritje të Prodhimit Bruto Vendor prej 5.6%. për këtë vit projektuam rritje prej 4.1% me pritje që eksporti të rritet për 10.6%, ndërsa investimet bruto me rritje 8%”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Por, nga Instituti i Analizave Ekonomike Finance Think, thonë se shifrat pozitive janë realizuar në sektorët më të goditur dhe janë për shkak të rezultateve të dobëta të vitit të kaluar, pasi pikërisht ato ishin më të goditur nga pandemia. Vitin e kaluar në tremujorin e dytë rënia ishte 14.9%. Gjithashtu ekonomistët vlerësojnë se masat për pengimin e përhapjes së virusit Korona do të kenë efekt të kufizuar të pavolitshëm. Finance Think qëndron në projektimin  për rritjen e Prodhimit Bruto Vendor në vitin 2021 për 4.1%.

Rritja e lartë është realizuar në bazë të ulët krahasuese nga tremujori i dytë i vitit 2020, në të cilin pandemia e pati goditjen e parë dhe më të fortë mbi ekonominë. Sipas aktiviteteve, goditja e një viti më parë ishte më e forta mbi tregtinë, akomodimin, shërbimin ushqimor dhe transportin, si rezultat i së cilës rritja në K2-2021 është më e larta në këto industri dhe është 46 për qind. Rritja në industritë e tjera është dukshëm më e ulët, me përjashtim të industrisë, e cila u rrit me 11.4%.”, thonë nga Finance Think.

Konsumi i qytetarëve ka ndikimin më të madh në strukturën e bruto prodhimit vendor dhe merr pjesë me më shumë se 70 për qind.

Ile Petrevski

LEXO EDHE:

Back to top button