Skuadra e Renovës, nisi përgatitjet për sezonin pranveror. Në grumbullimin e skuadrës nga XhepçIshti, trajneri Qatip Osmani caktoi ecurinë e përgatitjeve dhe që tani dihet se ekipi do të stërvitet në Tetovë deri më 20 janar.
Pastaj ekspedita e Renovës kalon në bazën e vjetër, në Ohër, ku janë planifikuar edhe disa ndeshje miqësore. Fillimisht më 21 janar do të jetë miqësoreja me Struga Trim Lum dhe më 29 janar do të jetë sfida ndaj Voska Sport. Më parë, trajneri Osmani do të testojë formën fizike dhe mentale në përballjen e vetëm miqësore në Tetovë, më 16 janar kundër Besës.
Ndërkohë sa i përket transferimeve, tani për tani, ajo që është edhe zyrtare është largimi i Argjent Gafurrit, ndërsa emri i ri është Fisnik Zuka, që bën një rikthim pas qëndrimit të shkurtër te FC Shkupi.








