Sërish probleme me blerjen e duhanit

Kaos total me blerjen e duhanit, prodhuesit e duhanit akuzojnë dhe kërkojnë takim urgjent me autoritetet. Në 20 ditë nga skadimi i afatit për blerjen e rendimentit, prodhuesit e duhanit ankohen se ende nuk i kanë dorëzuar 11 mijë ton duhan. Akuzojnë se dinamika e blerjes vonohet qëllimisht vetëm për të mos arritur në kohë. Ata janë skeptik se do ta dorëzojnë duhanin në kohë, sepse për dy muaj kanë dorëzuar vetëm 15 mijë ton. Mbetet edhe kërkesa e tyre për 100 denarë subvencione nga shteti për të gjitha klasat e duhanit.
“Kemi përkeqësim në terren. Blihet me shifra, njerëzit kthehen. Klasa e katërt nuk blihet. Vlerësimi nuk është real. Klasat e vërteta si e para deklasifikohen për qëllimin e tyre dhe shkojnë në klasin e dytë ose të tretë. Bëhet plaçkitje në të gjitha bazat. Radhët janë të gjata nëpër pikat e grumbullimit, merren para fshehurazi vetëm që të vihet në radhë për ta dorëzuar duhanin. Njerëz, kjo është e padurueshme dhe nuk funksionon më, kjo duhet të zgjidhet”, tha Igor Mirceski – Bordi Nismëtar i prodhuesve të duhanit.
Ministria përkatëse thotë se prodhuesit e duhanit kanë mundësinë të paraqesin tepricën e duhanit të prodhuar në njësitë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë deri më 5 shkurt. Vlerësimi i autoriteteve është se deri më 28 të këtij muaji, gjithçka e prodhuar nga prodhuesit e duhanit do të blihet.
Ministria e Bujqësisë:
“Prodhuesit e duhanit marrin 30 milion euro subvencione çdo vit, që është 30% e buxhetit të përgjithshëm për subvencionimin e bujqësisë dhe është një mbështetje serioze nga shteti. Ata të parit gjatë vitit i marrin subvencionet, këtu bën pjesë edhe nafta e gjelbër.”
Prodhuesit e duhanit akuzojnë se blerja e duhanit këtë vit është më katastrofike në 20 vitet e fundit. Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë thonë se deri më tani janë blerë 17 mijë tonë duhan me çmim mesatar prej 165 denarë për kilogram. Konfirmojnë që prodhuesit e duhanit, si një grup i prekur qytetarësh nga kriza e Covid 19, do të përfshihen në pakon e pestë të masave ekonomike të Qeverisë. Prodhuesit e duhanit akuzojnë se asgjë nga marrëveshja me Qeverinë nga takimi i fundit nuk është realizuar. Prodhuesit e duhanit në disa raste organizuan bllokada në rrugët lokale në të gjithë vendin dhe protestuan para ndërtesës së Qeverisë, me qëllim që produkti i tyre – duhani të blihej dhe që ata të siguronin jetesën e tyre. Kërkesa për subvencione prej 100 denarësh për të gjitha klasat mbetet ende, ndërsa paralajmëruan se po formojnë një shoqatë të prodhuesve të duhanit.
Ile Petrevski