Vaksinat, shtetet e BE-së vetëm me premtime për Maqedoninë

Pavarësisht paralajmërimeve se vaksinimi do të niste në janar, as këtë muaj siç duhet nuk do të mbërrijë vaksinat e blera direkt nga shteti. Falë donacionit nga Serbia, personeli mjekësor po vaksinohet me Pfizer. Ministria e Shëndetësisë nënshkroi marrëveshjen me Ambasadën Ruse në Shkup për vaksinën Sputnik V, por ende nuk dihet se kur do të vijë kontingjenti me 100 mijë doza. Ministri Filipçe tani theksin e vuri tek muaji mars, sipas të cilit do të vijnë 200 mijë vaksinat kineze “Sinofarm” dhe 20% të vaksinave Astra & Zeneca përmes platformës Covax. Por, më së largu mbeten vaksinat Pfizer të porositura direkt nga SHBA-ja. Deri tani 1,500 punonjës shëndetësor janë vaksinuar në punktin e vetëm në Shkup të Klinikës Infektive.

“Rreth 180 mijë qytetarë janë regjistruar në sistemin ‘termini im’ të moshës mbi 70 vjeç dhe të sëmurët kronik. Nga ai numër i përgjithshëm 50 mijë tani më janë paraqitur përmes platformës “Vakcinacija.mk” ose përmes mjekëve amë. Në këtë periudhë, jo më shumë se 10 deri 14 ditë do të përfundojmë procesin e imunizimi të të gjithë punonjësve shëndetësor, afër 4,000 të cilët punojnë me pacientët e prekur me kovid”, pohoi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Filipçe lëvdata thuri për interesimin e 70% të personelit mjekësor, por për rritjen e interesimit të qytetarëve tha se do të nisin fushatë me qëllim që të paraqiten vullnetarisht për vaksinim. Filipçe shtoi se edhe infrastruktura është e gatshme, të cilës iu shtuan edhe 12 frigoriferë medicinal, falë donacionit nga Stopanska Banka. Por, frigoriferët e posaçëm për vaksinat vazhdojnë të mbeten bosh. Sipas Planit nacional për imunizim në tri fazat e zhvillimit të vaksinimit janë paraparë të përfshihen rreth 1,2 milion qytetarë të vendit, për të cilët do të duhen 2,4 milion doza vaksinash anti kovid. Deri më tani shteti ynë ka porositur 1,933,000 vaksina nga katër kompani farmaceutike të cilat kanë shpikur vaksinat. Vetëm 8,190 vaksina janë donacion.

Plani Nacional për Imunizim

833,000 vaksina të porositura përmes platformës Covax

800,000 vaksina të porositura përmes Pfizer&BioNtech

200,000 vaksina të porositura kineze të llojit Sinofarm

100,000 vaksina të porositura ruse të llojit Sputnik V

Vendi ynë mbeti në harresë edhe nga shtetet fqinjë dhe të tjerat të BE-së, të cilët premtuan se do të dhuronin vaksina. As Bullgaria dhe as Greqia deri më tani nuk mbajtën fjalën për vaksinat. As Austria e Polonia nuk i dërguan dozat që BE-ja i ka porositur për vendet jo anëtare të familjes evropiane. Kjo e fundit ndau 70 milion euro për Ballkanin Perëndimor.


Adnan Qaili

 

LEXO EDHE:

Back to top button