Zyrtare, Baloteli te Italia për sfidën me Maqedoninë
Mario Balotelli është ftuar edhe zyrtarisht nga trajneri i Italisë, Roberto Mançini për ndeshjet ndërkombëtare. Sulmuesi 31-vjeçar, i cili aktualisht po luan me Adana Demirsporin në Turqi, ka marrë thirrjen e tij të parë nga “Azzurrët” që nga shtatori i vitit 2018, kur luajti 62 minuta në barazimin 1-1 kundër Polonisë në Ligën e Kombeve.
Trajneri Mançini e njeh mirë Balotellin, me dyshen që kanë histori së bashku në Inter dhe Mançester Siti.
31-vjeçari Balotelli ka shansin të jetë lojtari kyç në play-off-et e ardhshme të Kupës së Botës për Italisë. “Azzurrët” duhet së pari të mundin Maqedoninë e Veriut përpara se të përballen me fituesin e duelit Portugali-Turqi.

Skuadrës së Mançinit i ka munguar një golashënues i qëndrueshëm, me Çiro Imobile dhe Andrea Belotin që nuk arrijnë të dëshmohen në ndeshjet e mëdha, dhe kështu Balotelli mund të gjejë një vend në këtë skuadër.








