Humbi gjurmët 3 vite më parë, babai kërkon vajzën

Humbi gjurmët 3 vite më parë, babai kërkon vajzën

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Që prej tre vitesh, Tefik Abdili nga fshati Bogovinë kërkon vajzën e tij. Ajo nga shtëpia është larguar në 7 janar të vitit 2020 kur ishte 19 vjeçe, duke marrë me vete vetëm pasaportën. Një ditë pas largimit nga shtëpia, sipas babait të saj ka fikur telefonin dhe që nga ajo ditë nuk ka asnjë gjurmë. Rastin e ka denoncuar edhe në Polici, por rezultate nuk ka.

“Rastin e kam lajmëruar edhe në Polici, por nuk kam asnjë informatë kthyese nëse është e gjallë apo e vdekur. Për atë erdha që ta bëjmë publike që në rast se dikush din diçka të na lajmërohet. Jemi duke e kërkuar gjithë kohën por s`kemi asgjë rezultat, deri më tani asgjë e kemi paraqitur në polici por nuk më kanë dhënë asnjë informacion a është gjallë a është vdekur. Si prind unë nuk dua ta marr me zor ta kthej në shtëpi vetëm dua të di a është gjallë apo çka ndodh ku është”, tha Tefik Abdili, Babai i vajzës.

Abdili i apelon vajzës së tij të paktën të lajmërohet vetëm për ta ditur nëse është gjallë.

“Thjesht vetëm të na lajmërojë a është gjallë dhe ku është. Nëse nuk do të kthehet është problemi i saj, se ajo është e moshës madhore, por si prind vetëm duam të dimë a është gjallë apo jo”, u shpreh Tefik Abdili, Babai i vajzës.

Nga policia e Tetovës informojnë se për këtë rast janë ndërmarrë të gjitha masat për ta gjetur. Hetimet vazhdojnë tash e tre vite.

“SPB- Tetovë menjëherë ka përgatitur thirrje për kërkim lokal dhe qendror për personin e zhdukur dhe janë njoftuar të gjitha shërbimet në terren si dhe të gjitha pikat kufitare. Në lidhje me rastin e raportuar, zyrtarët policorë nga SPB-Tetovë kanë zhvilluar bisedë zyrtare me disa persona të cilët më herët kanë pasur kontakte me personin e raportuar, për marrjen e informatave që do të ndihmonin në gjetjen e personit. Vazhdojnë masat dhe aktivitetet për gjetjen dhe zbardhjen e plotë të rastit”, njoftojnë nga SPB, Tetovë.

Vajza apo fotografia e saj nuk ndodhet në listën e personave të zhdukur në faqen internetit të ministrisë së Punëve të Brendshme. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button