Humbja 3-0 ndaj Çellsit në finalen e Kupës së Botës për Klube, duket se ka trazuar ujërat te PSZH. Sipas asaj që raporton “Le Parisien”, kampioni i Francës po përgatit një operacion “spastrimi” në ekip, ku pritet të largohen 11 lojtarë.
Në listën e largimit, emrat e parë janë ata të Milan Shkriniar, Nordi Mukiele, Karlos Soler, Marko Asensio dhe Randal Kolo Muani, të cilët sezonin e kaluar ishin të huazuar dhe nuk janë më në planet e mundshme të Luis Enrike. Emra të tjerë që po ashtu janë në listën e largimit dhe vetëm pritet oferta e duhur për ta, janë: Gabriel Moskardo, Lukas Hernandez, Lukas Beraldo, Kang-in Li dhe Gonzalo Ramos.
Ndërsa dilema më e madhe është Xhixhi Donnarumma. Kontrata e portierit italian skadon verën e vitit të ardhshëm dhe deri tani nuk ka shenja për rinovim. Nëse italiani nuk rinovon, te PSZH duan ta largojnë që këtë verë duke parë interesin e disa klubeve të mëdha si Çellsi dhe Man. Siti, me qëllim që të mos lejojnë largimin e tij si lojtar i lirë verën e ardhshme. Në anën tjetër, Donarumma duket se është i bindur për të vazhduar deri në fund të kontratës me PSZH-në, por italiani nuk duket i bindur për një rinovim të mundshëm…








