Hungarezët votojnë në zgjedhje parlamentare kyçe – Orban përballë opozitës, pjesëmarrje rekord në vendvotime
Qindra njerëz janë rreshtuar para qendrave të votimit në Budapest për të hedhur votën e tyre në zgjedhjet vendimtare që mund t’i japin fund sundimit 16-vjeçar të kryeministrit Viktor Orbán. Shumë prej tyre janë votues të rinj, disa prej të cilëve nuk kanë votuar kurrë më parë.
“Po votoj kryesisht që Hungaria më në fund të bëhet një vend i ashtuquajtur evropian dhe që të rinjtë, dhe në fakt të gjithë, të përmbushin detyrën e tyre themelore qytetare për ta bashkuar disi këtë komb dhe për të rrëzuar këto barriera të lindura nga urrejtja.” – Marcell Mehringer, votues.
“E konsideroj të rëndësishme që të gjithë ne të marrim përgjegjësi për çfarë lloj të ardhmeje do të kemi në katër vitet e ardhshme.” – Zsuzsa Lipót, votuese.
“Shumë njerëz po votojnë dhe të gjithë ata që e kanë përvojë prej më parë na kanë thënë se kjo është e pazakontë, kështu që është një lajm i mirë për demokracinë këtu,” tha Pouria Amirshahi, vëzhgues i OSBE-së.
Në garë po marrin pjesë vetëm pesë parti ndërsa gara kryesore është mes kryeministrit aktual, Viktor Orban, që është që 16 vjet në pushtet, dhe udhëheqësit opozitar, Peter Magyar. Kryeministri hungarez Orbán, pasi votimit tha se fushata kishte qenë “një moment i madh kombëtar”. “Unë jam këtu për të fituar,” shtoi ai, duke u bërë thirrje votuesve të rinj të ushtrojnë të drejtën e tyre.
“Iu jam drejtuar atyre disa herë gjatë fushatës, ejani dhe votoni,” tha Viktor Orban, Kryeministër i Hungarisë.
Oponenti kryesor i kryeministrit Viktor Orban, MAgyar pas hedhjes së votës së tij tha se zgjedhjet janë “një zgjedhje mes Lindjes apo Perëndimit, propagandës apo debatit të ndershëm publik, korrupsionit apo një jete publike të pastër.” Ai u shpreh i bindur për fitore të thellë.
“Pyetja nuk është nëse Tisza do të fitojë, por me sa vota. A do të jetë me 2/3 apo vetëm një fitore me shumicë — një vend mund të udhëhiqet në të dyja mënyrat, kështu që gjithçka varet nga numri përfundimtar,” deklaroi Péter Magyar, Kryetar i partisë Tisza.
Zgjedhjet hungareze po vëzhgohen me kujdes nga Kievi dhe Moska, si dhe nga Bashkimi Evropian, teksa presidenti amerikan, Donald Trump, ka ofruar mbështetje për Orbanin, i cili ka mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë, edhe pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 2022. Ai ka tensionuar ndjeshëm marrëdhëniet e Hungarisë me Bashkimin Evropian, duke përdorur shpesh të drejtën e vetos për të penguar vendime të rëndësishme të bllokut me 27 anëtarë. Së fundmi, ai bllokoi një kredi prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, duke bërë që partnerët e tij ta akuzojnë për pengimin e ndihmës jetike.








