Nuk ka marrëvshje në Islamabad, Irani nuk heq dorë nga programi bërthamor – armëpushimi vazhdon, SHBA mbetet në vijat e kuqe
Nënpresidenti amerikan, Vense, njoftoi se përderisa dialogu ishte “përmbajtësor”, Teherani ka refuzuar që të pranonte kushtet kyç të sigurisë të Uashingtonit. Ai tha se dështimi i marrëveshjes ishte lajm i keq për Iranin.
“Lajmi i keq është që nuk kemi arritur një marrëveshje, dhe mendoj se kjo është më shumë lajm i keq për Iranin sesa për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, kthehemi në Shtetet e Bashkuara pa arritur një marrëveshje. Ne kemi bërë shumë të qarta vijat tona të kuqe, çfarë jemi të gatshëm të pranojmë nga ana e tyre dhe çfarë nuk jemi të gatshëm të pranojmë. Këtë ua kemi bërë sa më të qartë që kemi mundur, dhe ata kanë zgjedhur të mos i pranojnë kushtet tona,” deklaroi JD Vance,Zv.president i SHBA-së.
Vance theksoi se “vijat e kuqe” të delegacionit amerikan mbeten në sigurimin e “zotimit afirmativ” se Teherani nuk do të synojë që të posedojë armë bërthamore apo mjete për të prodhuar shpejtë një armë të tillë, duke e cilësuar këtë si “qëllim kryesor” të administratës të presidentit amerikan, Donald Trump. Vance la të kuptohet se hendeku mes dy palëve mbetet mjaft i madh.
Ndërkaq kërkesat kryesore të Teheranit për t’i dhënë fund luftës përfshijnë dëmshpërblime lufte dhe kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, tha zëvendëspresidenti i parë i Iranit, Reza Aref. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se ekzistojnë “boshllëqe” mes qëndrimeve të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për disa çështje, pavarësisht një “mirëkuptimi të ndërsjellë” për të tjera, pa dhënë detaje.
“Një çështje tjetër që vlen të theksohet ishte natyra e ndërlikuar e problemeve dhe situatës. Këtë herë në bisedime u shtuan disa tema të reja, përfshirë Ngushticën e Hormuzit dhe rajonin. Këto çështje kanë kushtet dhe kërkesat e tyre specifike,” deklaroi Esmail Baghaei, Zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit.
Ndërkohë, ndërmjetësuesit pakistanezë u bënë thirrje të dy vendeve të ruajnë armëpushimin.
“Është thelbësore që palët të vazhdojnë të respektojnë angazhimin e tyre për armëpushim,” tha ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, duke shtuar se vendi i tij do të përpiqet të lehtësojë një dialog të ri midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në ditët në vijim.
Dështimi i bisedimeve në Islamabad ka shkaktuar shqetësim të menjëhershëm te vëzhguesit rajonalë, të cilët druhen se vakumi diplomatik do të mbushet me demonstrime të forcës ushtarake.








