Hyseni: Serbia u tregua jokonstruktive në takimin në Bruksel


Koordinatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni, ka thënë se Serbia është treguar jokonstruktive në takimin që kanë pasur sot në Bruksel në nivel ekspertësh. “Pala serbe sot është treguar jokonstruktive. Kosova edhe sot ka vazhduar të jetë shumë konstruktive në kuptim të mbrojtjes rigoroze të interesave të saj, por në të njëjtën kohë duke qenë pala që ka përnjëmend këtë proces e synon të arrijë marrëveshje paqeje e normalizimi me Serbinë. Pa shmangshëm kjo marrëveshje duhet të sjellë njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë. S’mund të ketë asnjë marrëveshje tjetër”, ka thënë Hyseni. Në anën tjetër, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq i ka quajtur të vështira bisedimet e sotme në Bruksel. Sipas tij, “përfaqësuesit e Beogradit duhej të përballeshin me pretendime se s’ka probleme me të zhvendosurit brenda vendit dhe refugjatët si dhe me mohimin e pretendimeve se në Kosovë janë uzurpuar 18 mijë shtëpi e banesa”. Ai ka konfirmuar se në takim janë diskutuar edhe çështja e të pagjeturve, të zhvendosurve dhe e bashkëpunimit ekonomik. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, rifilloi më 16 korrik, pasi ishte ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën ndaj mallrave serbe. Një takim tjetër mes liderëve të Kosovës e Serbisë pritet të mbahet më 4 shtator në Uashington.

LEXO EDHE:

Back to top button