I mbijetuari i masakrës në Bucha rrëfen tmerrin: Kam pasur 20 minuta kohë t’i varros të gjithë
I mbijetuari i masakrës në Bucha rrëfen tmerrin: Kam pasur 20 minuta kohë t’i varros të gjithë

Banorët e Bucha në Ukrainë, Mykola dhe gruaja e tij kaluan një muaj të tërë duke jetuar në bodrumin të ndërtesës kolektive.
Kur rusët arritën në këtë qytet, vranë të gjithë meshkujt nën 50-vjeç. E pasi që ai ishte 53-vjeç, i dhanë afat prej 20 minutave që t’i varrosë të gjithë miqtë e tij.
Gjatë një interviste dhënë për ABC News, Mykola ka folur për tre varre që gjenden përballë ndërtesës kolektive ku ai jeton.
“Çdo person është shënjuar me një copëz dërrasë dhe i është vizatuar një ikonë – varësisht nga feja që i takonte. Kam dashur t’ju jap një varrim dinjitoz – me aq sa kam mundur. Për fat të keq varret nuk janë mjaftueshëm thellë të hapura, por nuk doja t’i lija që t’i hanë qentë”, tha 53-vjeçari.
Dy prej miqve të tij janë qëlluar para syve të tij, e i treti është vrarë me granatë. Gjymtyrët e trupit të tij kanë qëndruar nëpër rrugë për ditë të tëra – derisa iu lejua t’i mbledh dhe t’i fus në një thes dhe t’i gropos.
“Rusët kërkonin dokumentet kur arritën atje. Çfarëdo që shkruante në to, ata e konsideronin kërcënim – nënkuptonte se duhet të jenë të vdekur. I detyronin burrat të zhvishen, duke kërkuar tatuazhe – ndoshta ato ushtarake”, shpjegoi Mykola.
Një ekip i gazetarëve shkoi në lokacionin e varrezës masive, që e kanë regjistruar edhe imazhet satelitore në afërsi të një kishe.
“Kemi parë thasë me trupa të pajetë që janë hedhur njëri mbi tjetrin – të mbështjellë me çarçafë”, ka bërë të ditur një gazetar i cili shtoi se ky qytet është bërë një hapësirë e madhe e krimit.