Struga Trim Lum në kuadër të javës së 7-të të Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë, mundi Bregallnicën në Shtip, duke i shkaktuar kësaj të fundit edhe disfatën e parë në terrenin e saj. Me këtë rast, kampioni aktual dëshmoi se edhe këtë sezon pretendon që të “prek” sërish titullin kampion. Mirëpo në qendër të vëmendjes është sulmuesi Besart Ibraimi, i cili ishte në listën e golashënuesve, duke regjistruar golin e 190 në elitën e futbollit vendor. Sulmuesi kerçovar ka nevojë edhe për 10 gola që të arrijë deri te numri 200 i golave në LPFM.
“Edhe 10 gola më mungojnë që të arrijë deri te shifrat e 200 golave, që është një punë e madhe për mua. Nëse është gjithçka në rregull, besoj se në këtë sezon do të arijë deri te goli I 200-të. Mirëpo me rëndësi për mua është ekipi në rend të parë. Kjo fitore ka vlerë të madhe, pasi që Bregallnica është një skuadër e fortë, por ne treguam se përse jemi kampion aktual. Struga Trim Lum duhet të dëshmojë se ka kualitet dhe të shënojë fitore të reja në Ligën e Parë,” tha mes tjerash Ibarimi për “Sportsport”.
Me golin e shënuar ndaj Bregallnicës, Besart Ibraimi kalon në kreun e listës së golashënuesve të Ligës së Parë me 4 gola të shënuara në këtë sezon. Ky bilanc mund të përmirësohet edhe më tutje, duke ditur faktin se skuadra strugane ka 3 ndeshje më pak të zhvilluara në këtë sezon, për shkak të paraqitjeve në Evropë.








