Ideja e Zaevit për Qeveri të përbashkët me opozitën, reagojnë partitë tjera

Deklarata e kryeministrit Zoran Zaev, ku ftoi opozitën që të bëhet pjesë e Qeverisë ka shkaktuar reagime tek përfaqësuesit tjerë politik. Më herët Zaev për “Slloboden Peçat” deklaroi se e kishte lutur kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski për të formuar Qeveri të përbashkët por se me të nuk mund të merret vesh.

“Hajt të hyjmë të gjithë, e hap për herë të parë këtë mundësi. U përpoqa në çdo mënyrë, thashë se me Gruevskin mundesha të gjej zgjidhje, por me Mickovskin nuk mundem. Nuk  di çka të bëj tjetër! Ja tani e hap edhe këtë mundësi, edhe pse kam mandat deri më 2024-ën edhe tre vite e gjysmë, kam fituar në zgjedhje pas ndryshimeve kushtetuese, pas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, marrëveshjes me Bullgarinë, reformat që i bëmë dhe fitova, dhe edhe në rrethana të këtilla hap mundësi të debatojmë. Kur të dëshirojnë atëherë, prej nesër, pas zgjedhjeve lokale, kur të jenë të gatshëm të gjithë, atëherë”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Por partneri i koalicionit qeveritar, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti mendon ndryshe nga kryeministri Zoran Zaev. Vlerëson se puna e opozitës është të bëjë opozitën.

“Misioni i opozitës është t’i shprehë vërejtjet e veta, qofshin ato edhe pa vend, sepse roli i opozitës, jo vetëm tek ne por tek të gjitha vendet e përparuara demokratike, është që ato vetëm në rastër të veçanta mund të bëhen pjesë e një procesi të rëndësishëm për vendin, përndryshe ato detyrë e kanë që të japin dhe të mos pajtohen me shumicën parlamentare”, tha Ali Ahmeti, BDI.

Nga VMRO-DPMNE thonë se janë të gatshëm të diskutojnë për qeveri ekspertësh që do të udhëhiqet nga person mbi partiak, e që do të organizonte edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Posaçërisht para zgjedhjeve më mirë do ti vinte të kishte qeveri ekspertësh. E cila do të ketë kapacitet të ketë mbështetje më të gjerë e të ofrojë projekte reale për dalje nga kjo krizë të cilën Zaev nuk është i aftë ta menaxhoj. Kështu që nëse Qeveri ekspertësh me në krye një person që do të jetë i pranueshëm për të gjithë, figurë mbipartiak që mund ta udhëheq Qeverinë para deri në zgjedhje lokale, e më pas të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale, ne jemi të gatshëm të flasim për koncept të tillë”, pohoi Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.

Opozita shqiptare ASH-AAA është e gatshme të hyjë në Qeveri të zgjeruar por me kushtet e saj.

“Në qoftë se e ka me gjithë mend, Aleanca për Shqiptarët do të ishte e gatshme të diskutojë diçka të tillë, nëse paraprakisht kjo Qeveri e zgjeruar merr për obligim ndryshimet kushtetuese për të heqë 20% për gjuhët. Qeveria e re ti drejtohet BE-së për task forcë me gjykatës dhe prokurorë për ti hapur proceset e montuara politike dhe natyrisht atë që është ofruar nga neve si koalicion, si Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, lidhur me çështjen e shtetësisë, de bllokimin dhe zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të çështjes së qytetarëve të cilët nuk kanë shtetësi këtu në Maqedoninë e Veriut”, tha Ziadin Sela, ASH-AAA.

Kreu i VMRO-së Mickoski prej ditësh është në izolim për shkak të virusit korona dhe deri në këto momente, personalisht nuk e ka komentuar thirrjen publike të Zaevit.

 Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button