Inspektorati i Gjuhëve i kundërpërgjigjet ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov
Inspektorati i Gjuhëve i kundërpërgjigjet ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov
Gazetar: Suad Bajrami
Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve hedh poshtë pretendimet e ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov se gjatë ditës së djeshme është kryer inspektim pa plotësimin e bazave ligjore lidhur me çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës në shqip. Drejtori Arsim Idrizi thotë se këtë ia lejon ligji, ndërsa hedh poshtë pretendimet për presion dhe politizim të çështjes.
“Baza është peticioni, pastaj është iniciativa dhe në fund është detyra zyrtare, Domethënë me nenin 58 të Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese me detyrë zyrtare, unë kam të drejtë t’u jap urdhër inspektorëve për një çështje të caktuar. S’ka të bëjë këtu me presione dhe me gjëra të tilla, ne vetëm po e kryejmë detyrën tonë zyrtare dhe në fund besoj dhe shpresoj se të gjithë do të reflektojmë me zgjidhjen e kësaj çështje shumë jetike për studentët”, tha Arsim Idrizi, Drejtor i Inspektoratit të Gjuhëve.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë në pesë vitet e fundit, 232 kandidatë kanë kaluar provimin e jurisprudencës në gjuhën maqedonase, ndërsa kërkesa e studentëve ka gjetur mbështetje të gjerë te faktori politik shqiptar. Por pavarësisht premtimit, nuk ka zgjidhje konkrete.
| Numri i shqiptarëve që kanë dhënë provimin e jurisprudencës | |
| 2020 | 25 |
| 2021 | 29 |
| 2022 | 32 |
| 2023 | 64 |
| 2024 | 49 |
| 2025 | 33 |
| 232 | |
Ndërkohë ministri Fillkov nuk lëshon pe dhe vazhdon të insistojë se dhënien e provimit të jurisprudencës në shqip nuk e lejojnë ligjet dhe Kushtetuta. Ditëve në vijim duhet të dalë me raport edhe Avokati i Popullit pasi paraprakisht u formua lëndë dhe u kërkuan të dhëna nga Ministria dhe Inspektorati.








