Institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë mbajtjen e referendumit serb – Opozita në një vijë me Qeverinë

Institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë mbajtjen e referendumit serb – Opozita në një vijë me Qeverinë

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë mbajtjen e referendumit serb në territorin e Kosovës.

Në një deklaratë të përbashkët të Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit thuhet se mbajtja e referendumit përbën shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare, raporton Alsat.

“Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës”, thuhet nw komunikatën e përbashkët të Institucioneve të Kosovës.

Deklarata vjen pas takimit që ambasadorët e vendeve të QUINT-it realizuan me presidenten Osmani, Kryeministrin Kurti dhe kryeparlamentarin Konjufca. Ambasadorët kërkuan nga Institucionet të lejojnë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë më 16 janar.

Kosova ka thënë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, do të mund të votojnë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë. Institucionet e Kosovës kanë theksuar se çështja nuk është roli i OSBE-së, por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë.

“….kjo praktikë e Serbisë, që po e ndjekë modelin rus, ka mbështetjen e plotë të Federatës Ruse, duke dëshmuar kështu tendencat e tyre për destabilizim të shpejtë të rajonit tonë dhe zhbërjen e sukseseve që Kosova dhe rajoni i kanë arritur në partneritet me vendet mike demokratike”, thuhet tutje në komunikatw.

Pas takimit me ambasadorët, kryeministri Albin Kurti njoftoi se nesër do të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit.

“Unë po shkoj në kryeministri që të përgatisë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës për nesër në orën 14:00”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Edhe opozita është një vijë me pushtetin. PDK, LDK dhe AAK konsiderojnë se mbajtja e referendumit është antikushtetuese dhe do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë në Beograd, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka takuar drejtuesit e Listës Serbe. Vuçiç ka deklaruar se do të ketë “pasoja të mëdha dhe më të gjera se sa pritej” nëse nuk do të hapen qendrat e votimit në Kosovë. Referendumi për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë do të mbahet të dielën, më 16 janar. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button