Institucioni ligjvënës në vitin 2021 ishte pothuajse i bllokuar
Institucioni ligjvënës në vitin 2021 ishte pothuajse i bllokuar
Gazetar: Adrian Kerimi
Viti 2021 Kuvendin e gjeti të bllokuar nga mijëra amendamente të propozuara ndaj çdo ligji të shumicës parlamentare dhe opozitës maqedonase. Ky veprim erdhi nga opozita shqiptare ASH-AAA si kundërpërgjigje ndaj Qeverisë e cila nuk pranonte kompromis mbi Ligjin për Shtetësi, shkruan Alsat.
“Në çdo ligj tek i cili kemi qasje, pa asnjë dallim neve do të bëjmë bllokadë derisa të arrihet një marrëveshje e përbashkët që amendamentet ndaj ligjit për shtetësi të tërhiqen dhe të ulemi e bisedojmë për çdo amendamente veç e veç”, tha Skender Rexhepi, Deputet i Alternativës.
Paraprakisht opozita kontestonte besimin e Qeverisë, ndërsa Hristijan Mickoski disa herë kishte paralajmëruar shumicë të re. Zaev sfidoi votëbesimin e tij në Kuvend të cilin e ruajti me 62 vota.
Më 29 korrik u dorëzua Qeveria ndaj kërkesave të opozitës për shtetësi. Kuvendi miratoi Ligjin për shtetësi me dispozita lehtësuese mbi procedurat për marrjen e shtetësisë
“Urime dhe për periudhë kohore shumë të shkurtër ata do të kenë të drejtën të aplikojnë dhe shumicës së tyre vetëm do t’i konstatohet shtetësia me ligjin neve e kaluam”, tha Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së.
Në po të njëjtën ditë u miratua edhe rezoluta e propozuar nga VMRO-DPMNE-ja për caktimin e pozicioneve shtetërorë ndaj bllokadave gjatë integrimit Evropian, përkatësisht qëndrimet në raport me Bullgarinë. Rezoluta u mbështet edhe nga partitë shqiptare.
Gjatë këtij viti Kuvendi nuk ka proceduar asnjë interpelancë, ndërsa kërkesën e opozitës për shkarkimin e ministrit dhe zëvendësministrit të Shëndetësisë pas tragjedisë në Spitalin Modular të Tetovës, kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi e kishte hedhur poshtë për shkak të nismës në Kundërshtim me Kushtetutën./ Alsat.mk








