Instituti i Mjekësisë Ligjore përfundon analizat për zjarrin tragjik në Koçan
Gazetar: Petar Çaushevski
Prindërit e viktimave nga zjarri në “Puls”, në takimin me drejtorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Aleksandar Stankov, morën përgjigjen nëse ky Institucion i ka kryer të gjitha analizat toksikologjike për shkaqet e tragjedisë.
“Kërkuam nga mjekësia ligjore të mësojmë nëse janë kryer të gjitha analizat toksikologjike për të gjithë fëmijët tanë të ndjerë. Nuk morëm përgjigje për këtë, prandaj u detyruam të vijmë pasi kishim vendosur një afat prej tre ditësh. Erdhëm, na shpjeguan se gjithçka i është dorëzuar Prokurorisë, se janë kryer të gjitha analizat toksikologjike dhe se do të presim ekspertizën në gjykatë ku do të jepen detaje”, deklaroi Aleksandar Naunov, prind i një vajze të vdekur në zjarr.
Stankov sqaroi se prindërve u është shpjeguar se gjithçka që është kërkuar të bëhet nga Instituti është përfunduar dhe, në përputhje me ligjin, informacionet nga analizat mund të ndahen vetëm në gjyq.
“Të gjitha provat do të prezantohen publikisht gjatë procesit gjyqësor”, theksuan Dr. Aleksandar Stankov, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Familjet e viktimave, disa ditë më parë, kërkuan nga Instituti i Mjekësisë Ligjore që t’u përgjigjet nëse është analizuar prania e cianideve dhe komponimeve të ngjashme toksike si mundësi për shkakun e vdekjes së fëmijëve të tyre, në të kundërt ata paralajmëruan protestë. Ndërkohë, në sallën e gjyqit në Idrizovë u mbajt seancë e re për zjarrin në të cilin humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan. Procesi gjyqësor është në fazën e procedurës së provave dhe po dëgjohen dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria./Alsat.mk.








